Man. United bën me zemër tifozët, Sesko heroi i ndeshjes. Aston Villa zhgënjen në shtëpi (video)
1 Shkurt 2026
16:59
Telesport
Manchester United ka marrë fitoren e tretë rresht, në ndeshjen e tretë të Michael Carrick si trajneri i ri i “Djajve të Kuq”. Man. United fitoi 3-2 ndaj Fulham, në sfidën e luajtur në “Old Trafford”, e vlefshme për javën e 24-të në Premier League.
Sfida u zhbllokua në minutën e 19-të, Bruno Fernandes kroson në zonë nga goditja e dënimit, Casemiro kërcen mbi mbrojtjen kundërshtare dhe dërgon me kokë topin në rrjetë. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për “Djajtë”.
Në minutën e 56-të, Matheus Cunha dyfishoi shifrat për “Djajtë”, pas një asisti të marrë nga braziliani tjetër, Casemiro, pas një topi të humbur nga mbrojtësit miq. Në minutën e 65-të, Jorge Cuenca gjeti golin për Fulham, por u anullua për pozicion jashtë loje të mbrojtësit spanjoll.
Në minutën e 84-të, Raul Jimenez ngushton shifrat në 2-1, pas penalltisë së fituar nga vetë meksikani, pasi një ndërhyrje të gabuar të Harry Maguire ndaj tij.
Në minutën e 90+1, braziliani Kevin, i futur në fushë në pjesën e dytë si zëvendësues barazon shifrat me një gol spektakolar, pas një goditjeje fantastike në kufijtë e zonës së rreptësisë.
Megjithatë, “Djajtë” nuk u dorëzuan dhe gjetën sërish golin e avantazhit dhe të fitores 3-2 me Benjamin Seso, i futur si zëvendësues. Slloveni shënoi pas asistit fantastik të Bruno Fernandes. Rezultati final, 3-2.
Pas kësaj fitoreje, Manchester United ngjitet në vendin e 4-të me 41 pikë, Fulham mbetet në vendin e 9-të. Në dy sfidat e tjera, Aston Villa u mund në shtëpi 0-1 nga Brentford, edhe pse vendasit ishin me një lojtar më shumë që nga fundi i pjesës së parë, pas faullit brutal të Kevin Schade ndaj kundërshtarit, duke e goditur me takë në bark. Megjithatë, Brentford gjeti avantazhin në shtesë me Dango Ouattara.
Nottingham Forest barazoi 1-1 ndaj Crystal Palace. Vendasit gjetën të parët avantazhin me golin e Morgan Gibbs-White, miqtë barazuan shifrat me golin e Ismaila Sarr nga pika e bardhë e penalltisë në fund të pjesës së parë, pasi Neco Williams largoi topin me dorë nga vija fatale. Pjesa e parë dhe i gjithë takimi u mbyll 1-1.