Mund të ishte arsyeja e nisjes së një sulmi amerikan në Iran, protestuesi Erfan Soltani lirohet nga burgu, pagoi rreth 13 mijë dollarë dhe…
Protestuesi iranian Erfan Soltani u bë i famshëm në të gjithë botën, pasi ekzekutimi i tij mund të sillte një ndërhyrje ushtarake nga ana e SHBA-së në Iran.
Avokati i Soltan ka bërë me dije se i riu është liruar me kusht
“26-vjeçari u lirua të shtunën dhe mori të gjitha sendet e tij personale, përfshirë edhe celularin”, tha avokati Amir Mousakhani, duke shtuar se për lirimin e tij u pagua një garanci prej “dy miliardë tomanësh” (rreth 12,600 dollarësh).
Soltani u arrestua më 10 janar gjatë protestave të fundit mbarëkombëtare në Iran.
Ai u mbajt në një qendër paraburgimi në Karaj jashtë Teheranit, me akuzat për propagandë kundër sistemit islamik të Iranit dhe veprim kundër sigurisë kombëtare, tha gjyqësori në janar.
Departamenti Amerikan i Shtetit kishte thënë në llogarinë e tij X në gjuhën perse se ai ishte dënuar me vdekje.
Gjyqësori iranian më vonë e mohoi këtë, duke thënë se çështja e tij ishte ende nën hetim dhe se akuzat kundër tij nuk mbartin dënimin me vdekje.
Zyrtarët iranianë thanë se protestat kishin filluar më 28 dhjetor si demonstrata paqësore përpara se të shndërroheshin në “trazira” që përfshinin vrasje dhe vandalizëm.
Irani ka fajësuar Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin për trazirat, duke i akuzuar të dy vendet për nxitjen e asaj që e përshkroi si një “operacion terrorist”, veçanërisht kur demonstratat arritën kulmin më 8 dhe 9 janar.
Teherani ka pranuar më shumë se 3,000 vdekje gjatë protestave, por këmbëngul se shumica ishin anëtarë të forcave të sigurisë dhe kalimtarë të pafajshëm, duke ia atribuar dhunën “akteve terroriste”.
Megjithatë, Agjencia e Lajmeve e Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut (HRANA) me seli në SHBA tha se ka konfirmuar 6,713 vdekje, kryesisht protestues.
© BalkanWeb