Inter nuk e llogarit Cremonese-n, tifozët zikaltër me gjest të shëmtuar ndaj ish-lojtarit të tyre (video)
1 Shkurt 2026
19:54
Telesport
Inter ka marrë fitoren e katërt rresht në Serie A, sot fitoi pa probleme 0-2 në transfertën ndaj Cremonese, e vlefshme për javën e 23-të. Rezultati u zhbllokua që në minutën e 16-të, Federico Dimarco kroson nga goditja e këndit, Lautaro Martinez kërcen mbi mbrojtjen vendase dhe shënon me kokë.
Në minutën e 30-të, polaku Piotr Zielinski shënon një supergol me një goditje të fuqishme me të majtën nga distanca. Pjesa e parë mbyllet 0-2 për zikaltrit.
Pjesa e dytë nis me një incident të rrezikshëm. Një fishekzjarr u hodh nga tifozët e Interit drejt portierit, Emil Audero dhe shpërtheu vetëm pak centimetra larg tij, duke e vënë seriozisht në rrezik të madh portierin 29-vjeçar, i cili për një sezon ka luajtur edhe me zikaltrit.
Ndeshja u ndërpre për disa minuta, futbollistët e Interit shkuan drejt tifozerisë së tyre, duke i kritikuar për këtë gjest të shëmtuar. Ndeshja rifilloi normalisht pas disa çastesh dhe Audero nuk shfaqi për fat të mirë asnjë problem në vijim.
Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund. Inter fiton 0-2 dhe kryeson renditjen me 55 pikë, 8 pikë më shumë se Milan, që luan të martën ndaj Bologna.