Audero përtokë i goditur nga një fishekzjarr, Marotta: “Gjesti i pakuptimtë”. Lautaro: “Kërkojmë falje”
2 Shkurt 2026
7:30
Alfred Lleshi
Momente frike në minutën e 49-të të Cremonese-Inter, kur nga sektori i tifozëve zikaltër u hodh në fushë një fishekzjarr që shpërtheu pranë këmbëve të portierit vendas, Audero. Ai u rrëzua në tokë dhe qëndroi disa minuta, ndërsa arbitri e ndërpreu përkohësisht ndeshjen.
Nga “curva” zikaltër u dëgjua një kor kundër portierit (“duhet të vdesësh”), me kapitenin Lautaro Martinez dhe më pas Chivu që shkuan të qetësonin tifozët. Pas disa çastesh tensioni, Audero u ngrit i trullosur, dha shenjë se mund të vazhdonte dhe loja rifilloi.
Presidenti i Interit, Beppe Marotta, deklaroi: “Sporti ka vlera shumë larg asaj që pamë. Autoritetet po e hetojnë këtë gjest të izoluar. E dënojmë fuqishëm, do të gjendet përgjegjësi. Një gjest vërtet i pakuptimtë. Falënderojmë Audero për profesionalizmin”.
Edhe Lautaro shtoi për Dazn: “Këto gjëra nuk duhet të ndodhin, ka rrezik për personin. Jemi edhe ne njerëz. I kërkojmë falje Audero, kampion me ne me yllin e dytë, edhe tifozëve të Cremonese”.