U përfshi në dosjen e Epstein, reagon Musk: Askush nuk luftoi si unë për të ndjekur penalisht ata që abuzuan me fëmijët
Elon Musk ka reaguar publikisht pasi emri i tij u përmend në publikimin më të fundit të dosjeve që lidhen me Jeffrey Epstein. Dokumentet përfshijnë email-e nga viti 2013, në të cilat Musk shfaqet duke diskutuar çështje biznesi që lidhen me Teslën me Epsteinin, i dënuar më vonë për abuzim seksual. Sipas dosjeve, një vit më herët Musk i kishte dërguar një mesazh Epstein-it duke e pyetur: “Cila ditë apo natë do të ishte festa më e çmendur në ishullin tuaj?”.
Pas publikimit, Musk reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale, ku u shpreh se kishte qenë një nga zërat më të fortë që kishte kërkuar publikimin e plotë të dosjeve të Epstein dhe ndjekjen penale të abuzuesve të fëmijëve. Ai pretendoi se ishte i vetëdijshëm se, sipas tij, “media tradicionale, propagandistët e së majtës ekstreme dhe ata që janë vërtet fajtorë” do të mohonin akuzat dhe do të përpiqeshin ta diskreditonin.
Musk mohoi çdo përfshirje në aktivitetet kriminale të Epstein, duke deklaruar se nuk kishte marrë pjesë kurrë në festat e tij, nuk kishte udhëtuar me avionin e njohur si “Lolita Express” dhe nuk kishte shkelur kurrë në ishullin e tij privat. Ai e përshkroi situatën si “dhimbje ekstreme”, duke thënë se ishte akuzuar padrejtësisht për diçka që binte ndesh me vlerat e tij.
“Nëse kjo dhimbje shërben për të mbrojtur fëmijët e cenueshëm, atëherë ia vlen,” u shpreh Musk, duke shtuar se ishte i gatshëm të përballonte kritika edhe në të ardhmen për të kontribuar më shumë në mbrojtjen e fëmijëve dhe për t’u dhënë atyre mundësinë për një jetë të sigurt dhe të lumtur.
© BalkanWeb