Gjendet i pajetë në përrua biznesmeni 27-vjeçar i rrëmbyer në Greqi, u gjet i vrarë me 7 plumba. Pamjet kur merret me forcë
Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Nea Peramos, ku pasditen e djeshme u zbulua trupi i pajetë i një biznesmeni 27-vjeçar në një përrua pranë Manastirit të Trinisë së Shenjtë. Viktima ishte raportuar i zhdukur pasi ishte rrëmbyer jashtë banesës së tij në Elefsina, në orët e para të së hënës së kaluar. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, autorët e kanë çuar të riun në një vend të izoluar, ku e kanë ekzekutuar me të paktën shtatë plumba. Më pas, ata dyshohet se janë përpjekur t’i vënë flakën trupit për të zhdukur gjurmët e krimit, por pa sukses.
Ende nuk dihet për sa kohë 27-vjeçari ka qenë në duart e rrëmbyesve, nga momenti i rrëmbimit në qendër të Elefsinës deri në vrasjen e tij. Pamjet e publikuara nga protothema.gr tregojnë momentet para rrëmbimit. Në video, biznesmeni shihet duke u kthyer në shtëpi në këmbë në orën 02:01 të mëngjesit të 26 janarit, i veshur me kostum gri dhe bluzë me kapuç blu. Teksa hyn në rrugicën ku ndodhet pallati ku banonte me partneren e tij, një makinë blu afrohet nga drejtimi i kundërt. Brenda saj ndodheshin katër persona, të cilët nën kërcënimin e armës e detyruan të hipte në automjet dhe u larguan.
Pamjet nga kamerat e sigurisë iu dorëzuan Policisë nga partnerja e viktimës, e cila denoncoi rrëmbimin. Nga analiza e videove dhe targave, autoritetet konstatuan se automjeti i përdorur ishte raportuar i vjedhur në Selanik. Hetuesit po përqendrohen tani në zbardhjen e motivit të krimit. Skenari i rrëmbimit për shpërblim është përjashtuar, pasi pavarësisht se viktima vinte nga një familje e pasur, familjarët e tij nuk u kontaktuan kurrë për kërkesë parash. Policia e Vrasjeve dyshon se vrasja lidhet me mosmarrëveshje financiare mes viktimës dhe autorëve. Gjithashtu, autoritetet po shqyrtojnë ngjashmëritë me një vrasje tjetër të ndodhur në vitin 2024 në zonën pyjore të Mandrës, ku një biznesmen u gjet i vrarë dhe trupi i tij, së bashku me automjetin e përdorur për rrëmbimin, u dogj nga autorët.
© BalkanWeb