Zelensky intensifikon përpjekjet diplomatike mes sulmeve ruse dhe skandalit korruptiv
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zekensky, po intensifikon përpjekjet globale për arritjen e një marrëveshjeje të paqes, duke dërguar një ekip negociues në Shtetet e Bashkuara dhe duke planifikuar që vetë të vizitojë Parisin, në kohën kur Qeveria e tij po përballet me një skandal korruptiv dhe Rusia po intensifikon sulmet ajrore.
Zelensky tha se në SHBA është nisur një ekip negociues si pjesë e përpjekjeve për një “paqe të denjë” dhe për përfundimin e luftës në shkallë të plotë të nisur nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Ai tha më 29 nëntor se delegacioni do të udhëhiqet nga Rustem Umerov, një ish-ministër i Mbrojtjes, i cili tani është sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe Mbrojtjes së Ukrainës dhe anëtar i ekipit negociator të Kievit.
Një zyrtar i lartë amerikan u tha agjencive të lajmeve se sekretari i Shtetit, Marco Rubio, i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe dhëndri i presidentit Donald Trump, Jared Kushner, do të udhëtojnë në Florida për t’u takuar me delegacionin ukrainas më 30 nëntor.
Pas takimit në Florida, Witkoff pritet gjithashtu të udhëtojë në Moskë javën e ardhshme, në kuadër të përpjekjeve për të finalizuar propozimin kontrovers amerikan.
Ndërkaq, autoritetet franceze njoftuan se presidenti Emmanuel Macron do të presë Zelenskyn në Paris më 1 dhjetor për të diskutuar “kushtet për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”.
Kievi dhe aleatët e tij evropianë – të udhëhequr nga Franca, Britania dhe Gjermania – po synojnë që të hartojnë një plan paqeje alternativ ose të modifikuar, pasi Trump paraqiti një propozim me 28 pika, që kritikët pretendojnë se anon tepër në favor të Rusisë.
Zelensky nuk komentoi mbi vizitën e planifikuar në Paris, por Macron ka qenë një nga mbështetësit më të fortë të Kievit në luftën kundër agresionit rus. Zelensky ishte gjithashtu në Paris më 17 nëntor.
Versioni fillestar me 28 pika pasqyron pozicionet që Rusia ka mbajtur të paktën që nga nisja e pushtimit të Ukrainës.
Kjo alarmoi zyrtarët ukrainas, dhe raportohet se e zemëroi Zelenskyn, të cilët më pas zhvilluan bisedimet dypalëshe me zyrtarët amerikanë.
Plani “i rafinuar” me 19 pika që doli si rezultat i bisedimeve ende lë disa çështje kyç të hapura, përfshirë fatin e një pjese të rajonit Donjeckut të Ukrainës, të cilin Kremlini është i vendosur ta pushtojë.
Pengesa të tjera përfshijnë këmbënguljen e Kremlinit që Ukrainës t’i ndalohet anëtarësimi në NATO dhe një kufizim të mundshëm sa i përket madhësisë së ushtrisë së Kievit.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!