Hamilton: Ndjesi pozitive për makinën e re por nuk kemi iluzione, rëndësi ka zhvillimi i projektit
2 Shkurt 2026
9:41
Telesport
Javën e kaluar, thuajse të gjitha makinat e Formula 1 kryen disa teste private në pistën e Barcelonës. Teste të rëndësishme dhe të domosdoshme, duke parë se këtë vit hyjnë në fuqi rregullat e reja të garës.
Te Ferrari mund të jenë të kënaqur me besueshmërinë e makinës së re, duke qenë të dytët pas Mercedes për sa i përket xhirove të realizuara. Për sa i përket kohëve të xhirove ato ende janë të paqarta sa i përket saktësisë. Gjithsesi, mësohet se Lewis Hamilton dha kohën më të shpejtë të përgjithshme.
Në një intervistë, Lewis Hamilton shpjegoi ndjenjat e tij duke drejtuar SF-26, të lindur sipas rregulloreve të reja: “Për sa i përket kuptimit të makinës dhe ekuilibrit, kemi shumë më pak forcë poshtë se në vitet e kaluara”.
“Kjo gjeneratë makinash është më argëtuese për t’u drejtuar. Makina është e mbingarkuar, reagon dhe rrëshqitëse, por pak më e lehtë për t’u kontrolluar. Dhe patjetër do të thoja më argëtuese“, shtoi britaniku.
Hamilton foli gjithashtu për atmosferën brenda ekipit: “Kemi punë për të bërë për t’u përmirësuar, si të gjithë të tjerët, por kemi pasur disa takime të shkëlqyera. Të gjithë janë shumë të përqendruar dhe unë vërtet e ndiej mentalitetin fitues tek çdo anëtar i ekipit, më shumë se kurrë. Pra, është pozitive”.
“Të gjithë janë pozitivë dhe entuziastë, por nuk kemi iluzione. E dimë që kemi punë për të bërë, ndaj nuk e dimë se ku ndodhemi. Zhvillimi do të jetë thelbësor. Duhet të sigurohemi që të mos lëmë asgjë jashtë dhe të jemi të qartë dhe koncizë në komunikimin tonë dhe në vendimet që marrim”, tha Hamilton.