Rosenior: Edhe unë do ta kisha fishkëllyer ekipin në pjesën e parë, përmbysja ishte fantastike
2 Shkurt 2026
11:57
Telesport
Trajneri i Chelsea, Liam Rosenior, ka pranuar se do ta kishte fishkëllyer performancën e ekipit të tij në përfundim të 45 minutave të para të ndeshjes fituar 3-2 ndaj West Ham. Një pjesë ku “blues” luajtën dobët dhe ishin në disavantazh 0-2 para se të përmbysnin gjithçka në pjesën e dytë.
Lojtarët e Chelsea u pritën me fishkëllima teksa shkonin në dhomat e zhveshjes, çka duket se ka motivuar futbollistët. “Duhet të them se tifozët ishin të mrekullueshëm në pjesën e dytë,” tha Rosenior.
“Ata kishin të drejtë që fishkëllyen. Do ta kisha fishkëllyer edhe unë skuadrën në pjesën e parë. Performanca jonë nuk ishte aspak afër nivelit që duhej të ishte në aspektin kolektiv, në aspektin e energjisë dhe vendimmarrjes sonë”, shtoi trajneri i Chelsea.
“Por, t’i shohësh tifozët në fund të ndeshjes që festonin për golin e shënuar në shtesë dhe për fitoren më bën të lumtur. Jam i kënaqur me reagimin dhe me atë që tifozët panë nga ekipi në 45 minutat e dyta”, tha Rosenior.
“Kjo gjë më bën shumë krenar. U thashë lojtarëve në pjesën e parë, mund të kthejmë atë që ndoshta është ndjesia më e keqe e sezonit në ndjesinë më të mirë të sezonit. Dhe, mendoj se ata dolën dhe performuan shkëlqyeshëm në pjesën e dytë“, tha Rosenior.