“Tuneli i Murrizit u ndërtua për zgjedhje! Ministrja jep tendera fiktivë”/ Shembjet në Prrenjas-Librazhd, inxhinieri: Shkak ujërat nëntokësorë? U provokua nga jashtë, s’u morën masat
Shembja e ndodhur një ditë më parë në aksin rrugor Prrenjas-Librazhd ka ngritur pikëpyetje serioze mbi sigurinë e infrastrukturës dhe mënyrën e ndërtimit të rrugëve të reja. Inxhinieri Romeo Nazarko, duke komentuar situatën, hodhi poshtë pretendimin e Autoritetit Rrugor Shqiptar se rrëshqitja u shkaktua nga ujërat nëntokësore.
Nazarko tha në programin e drekës në News24, edhe pse në këtë segment rrëshqitje të vogla ndodhin pothuajse çdo vit, rasti i fundit nuk ishte një fenomen natyror. “Kjo nuk ishte një rrëshqitje e zakonshme. Ishte e provokuar dhe e ndikuar drejtpërdrejt nga dora e njeriut”, theksoi ai.
Inxhinieri e lidh situatën me punimet që po kryhen në Korridorin 8, i cili kalon shumë pranë gjurmës së rrugës së vjetër. Sipas tij, ndërhyrjet ndërtimore në zonë kanë destabilizuar skarpatat, duke krijuar kushte për rrëshqitje të rrezikshme. “Kur ndërtohet, duhet bërë pilotim dhe monitorim i vazhdueshëm i gjithë zonës, pikërisht për të shmangur këto fenomene. Pyetja është: a po monitorohen këto skarpata apo po lihen në rrjedhë të lirë deri sa të rrëshqasin?”, u shpreh Nazarko.
Ai paralajmëroi se rrëshqitje të tjera mund të ndodhin, nëse nuk merren masa parandaluese. Sipas tij, në segmente të tilla të vështira nuk ka mundësi për ndërtimin e by-pass-eve alternative, pasi zona kufizohet nga lumi, çka e bën edhe më të domosdoshëm monitorimin dhe ndërhyrjen profesionale. Nazarko kritikoi gjithashtu mënyrën e zbatimit të projekteve infrastrukturore, duke nënvizuar se kompanitë ndërtuese shpesh nuk marrin masat e nevojshme për stabilizimin e terrenit. “Ujërat nëntokësore nuk janë faktori kryesor i kësaj shembjeje. Këtu jemi në një situatë ku po rrëshqet shkëmbi, si pasojë e ndërhyrjeve njerëzore dhe mungesës së masave teknike”, tha ai.
“Vihet re një rrëshqitje në rrugën Prrenjas-Librazhd. Kreu i ARRSH ngriti pretendimin se për shkak të ujërave nëntokësore ndodhi kjo rrëshqitje. Ky fenomen ndodh ccdo vit, por kjo nuk ishte e tillë. Ishte një rrëshqitje e provokuar dhe nga dora e njeriut. Normale është të ndodh kjo situatë, pasi për shkak të punimeve që po ndodhin në korridorin e 8, dora e njeriut ka shkaktuar dhe këto provokime. A do të ketë provokime të tjera? Edhe mund të ketë. Rruga e korridorit 8 kalon afër gjurmës së rrugës së vjetër. Nuk parashikohet fenomeni i rrëshqitjes, por a bëhet monitorimi i këtyre skarpateve? A kemi monitorim të tyre apo i kemi lënë në rrjedhë të lirë që kur të rrëshqasin do të ndërhyjmë. Kur bëhet ndërtim, bëhet pilotim në të gjithë zonën që të shmangen rrëshqitjet. Nuk është se ka dëshirë ndërtuesi që të hedhë lekë në tokë. E njëjta gjë ndodh dhe me rrugët. Konstatohet që një segment është i rrezikshëm, merren masa. Ai segment është i vështirë, që nuk ndërton dot dhe një by-pass tjetër rruge, pasi është lumi dhe nuk të jem mundësi. Është luks për vendin tonë ku një ministër ndan tendera fiktivë, dhe nuk ishin marrë masa. Se kompania duket që nuk ka marrë masa. Ujërat nëntokësor nuk janë faktorët kryesorë që pati shembje, pasi është e provokuar. Jemi në situatën kur rreshket shkëmbi.”, tha ai.
Duke u ndalur te çarjet në tunelin e Murrizit, inxhinieri tha se për të konstatuar se nga vijnë këto çarje duhet një oponencë. “Ministria ka mbyllur të gjitha urat e komunikimit për të analizuar kështu dhe situatën. Nga ajo që shohim, përbën rrezik. Eksperti grek tha; mungon çeliku, apo dhe elementëve të tjerë, që projektuesve u duken elementare, sjellin këto pasoja. Kemi shembuj për ndërtimet e tuneleve, siç është ai i Kalimashit, apo dhe në atë të Elbasan-Tiranë. Në momentin kur bëhet tuneli, bëhen dhe monitorime. Por këto janë bërë shpejt e shpejt, për efekte elektorale. Tuneli është hapur pa akte kolaudimi.”, pohoi ai.
© BalkanWeb