Mediat e Kosovës raportuan se emri i saj ishte në dosjen “Epstein”, reagon Atifete Jahjaga: Përmendet Presidenti i vendit, por nuk jam unë!
Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka reaguar publikisht ndaj raportimeve që e lidhin emrin e saj me dosjen “Epstein”, duke i cilësuar ato si tërësisht të pabaza dhe të pavërteta.
Në një postim në Facebook, Jahjaga thekson se gjatë ushtrimit të detyrës si Presidente e Republikës së Kosovës nuk ka pasur kurrë njohje, takim apo çfarëdo lloj kontakti me personin në fjalë.
Ajo sqaron se përmendja e emrit të saj në disa media lidhet vetëm me një korrespondencë elektronike mes palëve të treta, e cila, sipas saj, nuk provon dhe nuk dëshmon asnjë takim, njohje apo lidhje personale me të. Jahjaga nënvizon se emri i saj nuk figuron në asnjë dokument zyrtar të publikuar.
Sipas ish-presidentes, në emailin në fjalë përmendet në mënyrë të paqartë “Presidenti i Kosovës”, pa u specifikuar se për cilin president bëhet fjalë dhe pa ndonjë kërkesë për takim në emër të saj.
Jahjaga e cilëson çdo raportim ndryshe si insinuatë dhe mashtrim të opinionit publik, duke kërkuar që ky sqarim të publikohet nga të gjitha mediat që kanë përmendur emrin e saj, veçanërisht duke theksuar se ajo as nuk e ka njohur, as nuk e ka takuar dhe as nuk ka kërkuar ndonjëherë takim me personin në fjalë, në asnjë funksion që ka mbajtur.
© BalkanWeb