Gjyqtarët kërkojnë rritje të pagave, Cakrani: Meritojnë të kenë dinjitet, kanë nga 15 gjyqe në ditë dhe qindra dosje në ngarkim
Avokati Kujtim Cakrani, në një intervistë në News24, ka komentuar kërkesën e gjyqtarëve për rritjen e pagave dhe reagimin e kryeministrit Edi Rama ndaj tyre.
Sipas Cakranit, gjyqtarët duhet të trajtohen me dinjitet, duke pasur mundësi të mbulojnë shpenzimet që lindin nga detyrat e tyre, si udhëtimet për gjyqe në qytete të ndryshme. “Një gjyqtar nuk duhet të ketë probleme financiare, sepse kjo mund të rrisë rrezikun e korrupsionit,” tha ai.
Ai vuri në dukje se krahasimet e kryeministrit mes pagave të gjyqtarëve të posaçëm dhe homologëve të tyre në rajon janë të papërshtatshme. “Nëse Rama krahason pagat e gjyqtarëve të posaçëm, ato janë më të larta edhe se të prokurorëve të antimafias apo gjyqtarëve në Itali. Por ne po flasim për gjyqtarët e gjykatave të zakonshme, të cilët kanë ngarkesa të mëdha dhe punojnë jashtë orarit dhe fundjavave për të përmbushur kërkesat e qytetarëve.”
Cakrani tha se gjyqtarët shpesh kanë qindra dosje në ngarkim, kryejnë 15 gjyqe në ditë dhe përballen me presion psikologjik të lartë. “Kërkesa e tyre për rritje page është minimale, duke marrë parasysh punën dhe përgjegjësitë e tyre,” shtoi avokati.
Ai theksoi se vlerësimi financiar i gjyqtarëve pas reformës në drejtësi është i pamjaftueshëm, pavarësisht gradimit sipas vjetërsisë. “Gjyqtarët duhet të jetojnë mirë dhe të paguhen mirë, sepse vetëm kështu mund të garantohet pavarësia dhe integriteti i sistemit gjyqësor,” përfundoi Cakrani.
© BalkanWeb