Fund shpenzimeve marramendëse, Man.United ndryshon filozofi
Në vitet e fundit, Man.United ka humbur shumë nga emri dhe shkëlqimi i dikurshëm duke detyruar tani edhe drejtuesit e klubit të ndryshojnë filozofi, qasje në tregun e transferimeve. “Djajtë e kuq” kanë shpenzuar miliona në merkato, por imapkti nuk ka qenë ai që pritej. I fundit që dështoi ishte Ruben Amorim, me portugezin që kishte në dorë një çek të bardhë, por e zhyti klubin në krizë totale, jashtë çdo objektivi. Në mënyrë të papritur, fati i këtij sezoni duket sikur ka marrë një tjetër kthesë me Michael Carrik në stol.
Në Angli, mediat shkruajnë se Man.United nuk pritet të bëjë më investime të çmendura në merkato, por kanë nisur të piketojnë që tani se ku do të ndërhyjnë gjatë verës. Prioriteti kryesor është gjetja e një mesfushori të ri pasi në fund të këtij sezoni nga “Old Trafford” do të largohet Casemiro. Prioritet gjithashtu është edhe përforcimi i krahëve të sulmit, pasi nuk pritet që Rashford dhe Jadon Sancho të rikthehen.
Urgjente është edhe gjetja e një qendërmbrojtësi të ri pasi Harry Maguire është futur në vitin që i përfundon kontrata. Sigurisht merkato e verës do të projektohet edhe në bazë të rezultateve që do të arrijnë këtë sezon.
Një temë më vetë është edhe ajo e trajnerit. Michael Carrick për momentin shihet si një trajner provizor, por me të në stol djajtë e kuq kanë arritur 3 fitore radhazi, madje ndaj rivalëve “big”. Carrick është një legjendë e United, nuk është një sekret që ka një mbështetje të madhe brenda klubit, për këtë arsye vendimi në lidhje me të ardhmen e tij do të merret në fund të sezonit, në bazë edhe të rezultateve.
© BalkanWeb