“Po e pengojnë të fitojë titullin me Al-Nassr”, zbulohet arsyeja e vendimit drastik të Cristiano Ronaldo
3 Shkurt 2026
17:23
Telesport
E ardhmja e Cristiano Ronaldo tek Al-Nassr është vënë në pikëpyetje të madhe. Portugezi ka refuzuar të luajë në ndeshjen e fundit, po ashtu ditën e sotme ka refuzuar të shkojë në stërvitje.
Dhe arsyeja e këtij vendimi drastik nga ana e pesë herë fituesit të “Topit të Artë” është se ai beson se po e pengojnë të fitojë titullin kampion me Al-Nassr, ku pas tre vitesh nuk ka fituar asnjë trofe madhor.
“Lojtari portugez e kupton se politika e transferimeve të Fondit të Pasurisë Sovrane të Arabisë Saudite, po dëmton Al-Nassr. Cristiano beson se PIF (fondi i investimeve) po pengon nënshkrimet e Al-Nassr për të parandaluar ekipin të fitojë titullin”, shkruan “Record” në raportimin e sotëm.
Dy janë objektivat parësor për Cristiano Ronaldon, të luajë me Portugalinë në Botërorin e verës që po vjen dhe të arrijë shifrën e 1000 golave. Përsa i përket të ardhmes, nuk përjashtohet mundësia e transferimit në MLS gjatë verës osë pse jo dhe një rikthim në Europë.
I mërzitur nga mungesa e fitimit të trofeve, Ronaldo është gati të heq dorë nga kontrata shumë fitimrpurëse me Al-Nassr dhe të nisë një aventurë të re, edhe pse është 41 vjeç. Sipas kontratës që ka me Al-Nassr, klauzola e largimit të Cristiano Ronaldo është 50 milionë euro.