Shihej si pasardhës i mundshëm i diktatorit/ U plagos në oborrin e shtëpisë, ndërron jetë djali i Muamar Gaddafit
Disa media libiane kanë njoftuar vdekjen e Saif al-Islam Gaddafit, njërit prej djemve të ish-liderit libian Muamar Gaddafi. Kanali televiziv libian al-Ahrar deklaroi se “personalitete të afërta” me Saif al-Islam Gaddafin kanë konfirmuar lajmin e vdekjes së tij.
Agjencia zyrtare e lajmeve e Libisë citoi këshilltarin e tij, Abdullah Othman, i cili nuk sqaroi nëse bëhet fjalë për një vdekje natyrale apo për një vrasje.
Sipas raportimeve të Al Arabiya, që citon një burim të afërt me familjen Gaddafi, Saif al-Islam thuhet se u vra pas përleshjeve të ashpra që shpërthyen herët pasditen e sotme në zonën e Zintanit. Burimi tha se katër persona të armatosur e plagosën rëndë atë ndërsa ndodhej në kopshtin e shtëpisë së tij dhe u larguan menjëherë nga vendngjarja pas sulmit.
Po sipas të njëjtit burim, përleshjet e armatosura midis milicive lokale dhe forcave besnike ndaj ish-regjimit të Gaddafit vazhduan për disa orë gjatë pasdites në zonën shkretëtirë të al-Hamada dhe në afërsi të Zintanit.
Saif al-Islam Gaddafi konsiderohej një nga figurat politike më me ndikim në Libi pas vitit 2011, por edhe një nga më përçarëset. I parë prej kohësh si një pasardhës i mundshëm i babait të tij, ai ishte i kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për krime kundër njerëzimit.
© BalkanWeb