Deschamps: Nuk kam nevojë që Mbappe të vrapojë shumë, rëndësi ka të shënojë
4 Shkurt 2026
10:26
Telesport
Debati mbi ndikimin taktik të Kylian Mbappé vazhdon të ndajë ekspertët dhe tifozët. A është ai një gjeni që duhet ruajtur apo një talent që duhet të sakrifikojë? Pyetja është rishfaqur pas komenteve rreth mungesës së përfshirjes mbrojtëse të sulmuesit të Real Madrid.
Trajneri i Francës, Didier Deschamps, u përgjigj, duke e bërë të qartë qëndrimin e tij. “Kjo është analiza juaj, por unë nuk mendoj kështu, edhe pse disa lojtarë mund të vrapojnë më pak se të tjerët. Nëse doni që ai të vrapojë të paktën 11 km për ndeshje, me mua ai nuk do ta bëjë,” shpjegoi trajneri i kombëtares franceze.
“Mund t’ju pëlqejë Kylian, mund të mos ju pëlqejë, por lojtarët e rinj e adhurojnë. Ju keni këtë imazh të tij si një djalë egoist dhe individualist. Por, një sulmues sigurisht që duhet të jetë egoist. Mund t’ju siguroj se brenda ekipit kombëtar francez ai sillet si një kapiten i vërtetë“, shtoi Deschamps.
Qëndrimi i Deschamps, dhe për rrjedhojë edhe ai i ekipit kombëtar francez, është i qartë: Mbappé vlerësohet për atë që prodhon në sulm, jo për sa metra përshkon pa top. Deschamps përsërit se kontributi i tij si lojtar vjen kryesisht nga golat dhe ndikimi i tij në grup. Një qasje e ndryshme ndaj lidershipit, një qasje që trajneri e konsideron të pajtueshme me rolin dhe ndikimin e sulmuesit të tij.