Anija e rojes bregdetare përplaset me skafin me emigrantë, 15 viktima në ujërat e Greqisë
Të paktën 15 persona u vranë të martën në mbrëmje pasi një anije e rojes bregdetare u përplas me një motoskaf që transportonte emigrantë në det pranë ishullit grek të Kiosit.
Nga 25 personat që u shpëtuan, 24 prej tyre, përfshirë 11 fëmijë, u shtruan në spital në ishullin lindor të Egjeut pranë Turqisë.
Një nga personat e shpëtuar më vonë vdiq. Dy oficerë të rojes bregdetare u plagosën gjithashtu lehtë, tha roja bregdetare.
Nuk është e qartë se sa persona ndodheshin në motoskaf në kohën e incidentit, ndërsa kërkimet për të zhdukurit vazhduan të mërkurën.
Katër anije patrullimi bregdetar, dy helikopterë dhe zhytës filluan një kërkim gjatë natës që vazhdoi deri në mëngjes, me një helikopter dhe pesë anije patrullimi ende të përfshira.
Roja Bregdetare Greke tha në një deklaratë të mërkurën se një nga anijet e saj patrulluese vuri re një gomone që udhëtonte drejt Kiosit të martën vonë pa drita navigimi. Pavarësisht sinjaleve zanore dhe vizuale nga anija patrulluese, motoskafi nuk u ndal.
“Në vend të kësaj, piloti (i motoskafit) u kthye dhe anija më pas u përplas me anën e djathtë të anijes patrulluese të Rojës Bregdetare”, shtoi deklarata, “forca e impaktit bëri që anija të përmbyset dhe të fundoset”.
© BalkanWeb