Vuçiç i mohon akuzat se kishte lidhje me snajperët e fundjavës në Sarajevë
schedule14:54 – 22 Nëntor, 2025
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i mohoi pretendimet që e lidhin atë me të ashtuquajturit “snajperë të fundjavës” në Sarajevë gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë në vitet ‘90.
Vuçiç deklaroi për TV Informer se “unë kurrë nuk kam mbajtur pushkë në dorë” dhe njoftoi se do të ngrejë padi kundër mediave që e kanë publikuar këtë, duke shtuar se do t’i angazhojë “avokatët më të mirë në botë”.
Gazetari hulumtues kroat, Domagoj Margetiç, deklaroi të martën se ia ka dorëzuar Prokurorisë në Milano – e cila po udhëheq hetimin për “snajperët e fundjavës” – të dhënat që, sipas tij, tregojnë se Vuçiçi ka marrë pjesë ose ka ndihmuar në “turizmin e snajperëve”, ku thuhet se të huaj të pasur paguanin forcat serbe rreth Sarajevës së rrethuar për të shtënë ndaj civilëve të qytetit.
Vuçiç, në intervistën për TV Informer, tha se “nuk kishte dëgjuar kurrë për një fundjavë” të tillë.
“Por, kjo s’ka rëndësi. Unë nuk kam pasur pushkë; madje kur kam ardhur dhe kam pyetur nëse mund të jem me ju, më thanë ‘djalosh, kthehu, na duhet gazetar dikush që di anglisht’. Historia është aq absurde dhe këtë e dinë të gjithë; kam incizime, dëshmitarë, dhe aty ku thonë se ishte pushka, në fakt ishin këmbët mbajtëse të kamerës që po ia mbaja kameramanit”, tha Vuçiç.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!
