Pogba në dilemë për të ardhmen pas dëmtimit, Monaco e heq edhe nga lista Champions
5 Shkurt 2026
9:48
Telesport
Paul Pogba nuk është përfshirë në skuadrën e Monaco, në listën e UEFA-s, për gjysmën e dytë të Champions League. Këtë e konfirmoi drejtori i përgjithshëm i klubit, Thiago Scuro, i cili ka komentuar edhe mbi rikthimin e mundshëm të mesfushorit në aksion.
“Nuk ka një përgjigje të qartë për rikthimin e Pogba. I gjithë ekipi mjekësor është i përqendruar në gjetjen e zgjidhjeve. Ashtu si me çdo dëmtim, hapi i parë do të jetë rikthimi në fushë, pastaj vazhdimi i stërvitjes për të rifituar formën e nevojshme për të luajtur“, tha Scuro.
Pogba është larguar përkohësisht nga skuadra, së bashku me Mohammed Salisu dhe Takumi Minamino, të cilët janë gjithashtu të lënduar. Krépin Diatta, Wout Faes dhe Simon Adingra i kanë zëvendësuar ata në listën Champions.
Rikthimi i Pogba me Monaco po rezulton të jetë një dështim deri më tani. Ish-lojtari i Juventus, i cili ka nënshkruar një kontratë deri në vitin 2027, është shfaqur në fushë vetëm tre herë, duke luajtur gjithsej 30 minuta.
Paraqitja e tij e fundit ishte më 5 dhjetor, kundër Brest. Një dëmtim në pulpë e ka mbajtur jashtë që atëherë.