Tragjedia në Itali/ Familja shqiptare hyri në shtëpi pak muaj më parë, kryefamiljari e restauroi me disa miqtë e tij
Tragjik ishte fundi për një familje shqiptare, ku 4 anëtarët e saj humbën jetën në banesë pasi dyshohet se janë helmuar nga monoksidi i karbonit. Ngjarja ndodhi në komunën e Porcarit, në fushën e Luçës, ndërsa viktima mbetën Arti Kola, gruaja e tij Jonida, djali Hajdari dhe vajza, Xhesika.
Kryetari i Komunës së Porcarit, Leonardo Fornaciari, i cili shkoi menjëherë në vendin e ngjarjes, ka reaguar i tronditur në rrjetet sociale. Ai theksoi se kjo ishte një humbje e madhe për komunitetin, ndërkohë pohon se kjo tragjedi ishte e ngjashme me atë të familjes Malanca, madje edhe atë që ndodhi në shkurt të vitit 1992.
Shtëpia ku ndodhi tragjedia është në pronësi të Arti Kolës, i cili, sipas dëshmitarëve, e bleu atë rreth tre vjet më parë, por familja ishte zhvendosur vetëm kohët e fundit. Shtëpia me sa duket ishte restauruar nga vetë viktima, bashkë me disa miqtë e tij.
MESAZHI
Mbrëmjen e djeshme, një fatkeqësi e madhe ndodhi në vendin tonë.
Një familje e tërë, familja Kola, me shumë gjasa humbi jetën në shtëpi, dhe hetimet do ta sqarojnë më vonë, për shkak të monoksidit të karbonit që rrjedh nga kazani.
Babai Arti, nëna Jonida me dy fëmijët e tyre, Hajdarin 22 vjeç dhe Xhesikën 15 vjeçe. Jemi të gjithë të mërzitur dhe të trishtuar nga kjo ngjarje tragjike që më kujtoi menjëherë tragjedinë e familjes Malanca, madje edhe atë që ndodhi në shkurt të vitit 1992. Komuniteti ynë, qëndron i bashkuar rreth të afërmve dhe miqve në një përqafim ideal për këtë zi të rëndë që ka prekur Porcarin.
U prehshin në paqe, të gjithë së bashku.
© BalkanWeb