“Komisioni për Reformën Zgjedhore të rifillojë punën”, ambasadori i OSBE, Tarran: Partitë janë dakord që ka nevojë, e kanë dëgjuar mesazhin
Ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Michel Tarran, ka theksuar rëndësinë e rifillimit të punës së komisionit ad hoc për reformën zgjedhore, duke e cilësuar atë si një proces thelbësor për përmirësimin e kuadrit ligjor të zgjedhjeve në vend.
Tarran është shprehur se OSBE inkurajon fuqimisht vijimin e punës së këtij komisioni, pasi ekzistojnë ende problematika në ligjin zgjedhor që, sipas vlerësimeve të OSBE/ODIHR, nuk përmbush plotësisht standardet e nevojshme. Ai rikujtoi se ndryshimet në ligjin zgjedhor janë një rekomandim i përsëritur ndër vite nga misionet vëzhguese të ODIHR.
“Shpresojmë që komisioni të rifillojë punën sa më shpejt, pasi ajo që po bën është tejet e rëndësishme. Ka disa çështje në ligjin zgjedhor që duhen përmirësuar dhe kjo është një rekomandim që bëhet çdo herë nga misioni i ODIHR,” u shpreh ambasadori.
Sipas Tarran, këtë herë ka sinjale pozitive se mesazhi i ODIHR është dëgjuar nga aktorët politikë. Ai vuri në dukje se, pa u përfshirë në debate politike, të gjitha partitë e përfaqësuara në Parlament duket se janë dakord mbi nevojën e reformës zgjedhore.
“Këtë herë kam përshtypjen se mesazhi i ODIHR është marrë seriozisht. Partitë politike, pavarësisht dallimeve të tyre, janë dakord që kjo reformë është e nevojshme dhe ne do të ndihmojmë për ta përmirësuar,” deklaroi Tarran.
© BalkanWeb