“Ronaldo dhe Messi ishin më të mirët e epokës sime, pas tyre vija unë”
5 Shkurt 2026
12:22
Alfred Lleshi
Eden Hazard, ish-lojtar i Chelsea dhe Real Madrid, flet për verërat e tij në një intervistë për “Gazzetta dello Sport”. Ai tregoi se “verërat janë elegante, ashtu si unë”. Hazard shpjegon: “Kam njohur Fábio përmes një miku të përbashkët, ai më dërgoi disa shishe dhe kështu lindi ideja për të punuar bashkë. Kemi prodhuar një të kuqe, një rozë dhe një të bardhë. Vera e kuqe është e preferuara ime, ndërsa gruaja preferon të bardhën”.
Ai shton se gjatë kohës te Chelsea, trajneri Sarri i sugjeronte të ndiqte stilin e jetës së Cristiano Ronaldos: “Po, por unë i thoja se nuk doja. Nuk e kam tepruar kurrë, por gjithmonë kam dashur të jem Hazard brenda dhe jashtë fushës. Nëse miqtë më ftonin në darkë nuk refuzoja, nëse doja një gotë, nuk më mungonte.
Cristiano është Cristiano, unë jam Hazard. Thjesht doja të isha vetvetja dhe të luaja futboll. Për disa mund të duket gabim, por unë jam i kënaqur. CR7 dhe Messi ishin më të mirët e epokës sime, por pas tyre isha unë dhe ndoshta Neymar”.