“Situata ka dalë jashtë kontrollit”/ Zbulohet emaili, si i kërkonte Epstein këshilla gjuhëtarit të njohur Noam Chomsky
Dokumente të reja të publikuara nga hetimi i autoriteteve amerikane mbi Jeffrey Epstein zbulojnë se financieri i dënuar kishte kërkuar këshilla nga gjuhëtari dhe intelektuali i njohur Noam Chomsky lidhur me mënyrën se si duhej të përballej me mbulimin negativ mediatik të akuzave për trafikim seksual ndaj tij. Në një email të datës shkurt 2019, Epstein i shkruante Chomsky-t duke kërkuar mendim nëse duhej të reagonte publikisht për t’u mbrojtur apo ta injoronte situatën, të cilën e përshkruante si “jashtë kontrollit”. Ai pyeste gjithashtu nëse duhej të gjente dikë për të shkruar një opinion në mbrojtje të tij.
Një përgjigje që në dokumente identifikohet si e ardhur nga Noam Chomsky shprehet kritike ndaj mënyrës se si po trajtohej çështja, duke folur për “histerinë” që ishte krijuar dhe duke sugjeruar se strategjia më e mirë do të ishte injorimi i reagimeve publike. Në email thuhet se reagimi publik shpesh shërben si terren për sulme të mëtejshme dhe se kundërshtimi i akuzave ishte bërë jashtëzakonisht i vështirë në klimën e krijuar.
Shkëmbimi i mesazheve është pjesë e dosjeve të fundit të bëra publike nga hetimi federal ndaj Epstein. Autoritetet theksojnë se përmendja e emrit të Chomsky-t në dokumente nuk nënkupton asnjë shkelje apo përfshirje penale nga ana e tij. Dokumentet tregojnë gjithashtu se Epstein kishte korrespondencë të rregullt me Noam dhe Valeria Chomsky mbi tema të ndryshme, përfshirë çështje akademike, organizim takimesh, si dhe këshilla financiare dhe familjare. Në disa email-e përmenden edhe diskutime mbi mënyrën e komunikimit me fëmijët e çiftit për çështje financiare.
Në vitin 2023, Noam Chomsky, tashmë 97 vjeç, i tha Wall Street Journal se marrëdhënia e tij me Epstein ishte personale dhe sporadike, duke theksuar se nuk e konsideronte çështje publike. “E njihja dhe takoheshim herë pas here”, ishte shprehur ai. Jeffrey Epstein u arrestua në korrik 2019 dhe u gjet i vdekur në qelinë e tij në një burg të New York-ut në gusht të po atij viti, ndërsa priste gjyqin për akuzat federale për trafikim seksual. Korrespondenca e tij me figura publike ka vijuar të dalë në dritë përmes publikimeve të dokumenteve gjyqësore gjatë viteve të fundit.
© BalkanWeb