“PD duhet të rishpikë veten”, Tabaku: Partia ka nevojë për hapje, të mos përsëriten gabimet e së shkuarës
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, ka folur për sfidat e opozitës dhe nevojën për ndryshim të thellë brenda PD-së.
“Që të jesh në opozitë në një mandat të katërt duhet të rishpikësh veten. Ka shumë diskutime në PD për instrumentet që duhet të përdorim. E rëndësishme është mendësia për të hapur partinë dhe për të mësuar nga gabimet e të shkuarës. Nuk ka diskutim që duhet të bëjmë gjërat ndryshe,” tha Tabaku.
Ajo theksoi se të gjitha kauzat e mëdha të ditës, përfshirë edhe çështjen e Belinda Ballukut, janë ngritur fillimisht nga Partia Demokratike.
“Të gjitha kauzat që diskutohen sot, edhe ajo e Ballukut, janë ngritur nga PD dhe shoqëria po vuan. Që të vendoset PD në fokus bën apo jo protesta, më duket gabim. Ne duhet të flasim me qytetarët që të ngremë frymën.”
Tabaku u shpreh se njerëzit mund të kenë dyshime se ky pushtet nuk mund të ndryshohet me votë, por PD duhet të punojë paralelisht në të gjitha frontet.
“Foltorja është menduar si një hapësirë edhe për qytetarët dhe ku opozita nuk ka penalizimin që ndodh në Parlament dhe si një formë rezistence në protestë. Protesta nuk bën keq. Protesta duhet të ndodhë nga opozita, nuk ka asgjë të keqe të protestosh.”
Deputetja theksoi rëndësinë e rotacionit politik dhe hapjes ndaj individëve të rinj.
“Grupi parlamentar i PD është reflektim si partia çon para vizionin e saj. Për mua është i shëndetshëm rotacioni politik dhe duhet të punojmë drejt kësaj. Fryma opozitare është aty, por ne duhet ta materializojmë. Njerëzit vlerësojnë edhe individin. Turi që do të ndodhë nga partia ka në qëllim edhe këtë, të identifikojmë kandidatë që mund t’i bashkohen frymës opozitare,” përfundoi Jorida Tabaku.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb