Zbardhet ngjarja në Konispol/ E plagosi me armë në 2012, mirditori hakmerret, i vendosi eksploziv në automjet (Detajet)
Një 57-vjeçar në Sarandë i shpëtoi për mrekulli një atentati me eksploziv, ngjarje e dyshuar për hakmarrje, ndërsa u shpall në kërkim personi që dyshohet se vendosi lëndën plasëse. Mirash Gjikola teksa udhëtonte me automjetin e tij në aksin Shëndëlli-Vrinë dëgjoi një zhurmë të pazakontë në mjetin e tij dhe ndaloi për ta kontrolluar. 57-vjeçari vuri re se në sediljen e pasme të automjetit ishte vendosur një sasi lëndë plasëse, ndaj njoftoi menjëherë policinë. Në vendngjarje shkuan forca të shumta policie dhe ekspertë të RENEA-s, të cilët krijuan perimetrin e sigurisë dhe çaktivizuan lëndën plasëse.
Gjikola nuk është një emër i panjohur për policinë, pasi në vitin 2012 plagosi me armë zjarri 40-vjeçarin Dedë Kovaçin, i njohur ndryshe edhe si Dedë Gjini, ngjarje për të cilën u dënua me 8 vite burgim për tentativë vrasjeje. Pasi mbaroi vuajtjen e dënimit 57-vjeçari Gjikola u shpërngul nga Lezha për të jetuar në fshatin Shëndëlli të Sarandës.
Nga ana tjetër, gjatë veprimeve hetimore policia identifikoi dhe shpalli në kërkim 54-vjeçarin nga Lezha Dedë Gjini, i cili dyshohet se vendosi eksplozivin në automjetin e Mirash Gjikolës. Policia bën të ditur se 54-vjeçari Gjini u shpall në kërkim për veprat penale “Shkatërrimi i Pronës me eksploziv”, “Kanosje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, ndërsa vijon puna për kapjen e tij.
© BalkanWeb