Kur do ‘flasë’ Kushtetuesja? Konstitucionalisti Dervishaj: Duhet kohë! ‘Balluku’ një nga çështjet më të rëndësishme kushtetuese të shtetit shqiptar
Konstitucionalisti Bledar Dervishaj ka komentuar kërkesën e kryeministrit Edi Rama drejtuar Gjykatës Kushtetuese për rrëzimin e vendimit që pezullon nga detyra zv/kryeministren Belinda Balluku, duke e cilësuar çështjen si një nga më të rëndësishmet në historinë kushtetuese të vendit.
Sipas Dervishajt, nuk bëhet fjalë për një çështje rutinë apo të zakonshme për Gjykatën Kushtetuese. “Nuk kemi të bëjmë me emra konkretë, por me një kërkesë të kryeministrit për një mosmarrëveshje kushtetuese. Kjo çështje është jashtëzakonisht e rëndësishme, madje kapërcen edhe kërkesën për shkarkimin e Presidentit të Republikës në rastin Meta,” u shpreh ai.
Ai theksoi se çështja kërkon një gjykim të thelluar dhe shterues, pasi lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen e funksionimit të shtetit dhe ndarjen e pushteteve. “Ka të bëjë me mënyrën se si do të qeveriset vendi dhe me kufijtë e kompetencave të pushteteve. Në optikën time, kemi një kapërcim të kufijve nga gjyqësori drejt ekzekutivit,” tha Dervishaj, duke shtuar se, sipas tij, kryeministri ka të drejtë në këtë rast.
Konstitucionalisti nënvizoi se Shqipëria është ndërtuar si një Republikë parlamentare, me tre pushtete të ndara, ku secili ka funksionet e veta. “Ministri emërohet ose shkarkohet me propozim të kryeministrit, dekret të presidentit dhe miratim të Kuvendit. Nuk ka kuptim që gjyqësori të pezullojë një ministër apo një funksion ekzekutiv. Kjo nuk është e parashikuar në arkitekturën e shtetit të së drejtës,” deklaroi ai për News24.
Dervishaj e cilësoi si të nxituar veprimin e SPAK, duke theksuar se provat kanë qenë të njëjta nga e enjtja në të hënën dhe se nuk shikon ndonjë rrezik të madh nëse vendimmarrja do të ishte marrë disa ditë më vonë. Sa i përket rolit të Gjykatës Kushtetuese, ai theksoi se institucioni ka të drejtë t’ia referojë çështjen Komisionit të Venecias, por gjithashtu mund ta zgjidhë vetë, përmes një vendimi përfundimtar. Sipas tij, vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në balancën e pushteteve dhe në mënyrën se si do të funksionojë shteti shqiptar në të ardhmen.
Dervishaj: Nuk kemi vonesë. Nuk është nga ato çështje rutinë ku përballet Gjykata Kushtetuese, nuk është e nivelit të zakonshëm. Nuk kemi të bëjmë me emra, por me një kërkesë të kryeministrit për një mosmarrëveshje kushtetuese. Ndaj kjo çështje, e kam shprehur dhe më parë, është një nga më të rëndësishmet që ka shteti shqiptar, madje kapërcen dhe kërkesën për shkarkimin e presidentit të Republikës (Në rastin e Metës). Kërkon gjykim shterues për atë kërkesë të kërkuar nga kryeministri Edi Rama. Kjo ka të bëjë me të ardhmen, me mënyrën se si do të qeveriset dhe se ku i ka kompetencat gjyqësori. Në optikën time, ka një kapërcim të kufijve nga gjyqësori drejt ekzekutivit. Besoj se ka të drejtë kryeministri. Është një nga çështjet më të rëndësishme. Kemi ndërtuar një Republikë parlamentare, me 3 pushtete dhe i katërti është media. Secili ka punën e tij. Ministri ka ose emërim, ose shkarkim, dhe këtë gjë e propozon kryeministri dhe dekreton presidenti dhe e miraton Kuvendi! S’ka kuptim më që gjyqësori të pezullojë një kryeministër. Kjo nuk është e përcaktuar në arkitekturën e shtetit të së drejtës. Unë e konsideroja këtë nga ana e SPAK, një veprim të nxituar. Provat ishin të njëjta nga e enjtja në të hënë. Në këtë kontekst, është pak e nxituar. Nuk e shoh ndonjë gjëmë të madhe nëse u mblodh të hënën apo të enjten. Gjykata Kushtetuese ka të gjithë të drejtën ta bëjë atë që të çojë kërkesën në Komisionin e Venecias, por mund ta bëjë të gjithën edhe vetë. Rasti Veliaj nuk është i njëjtë me këtë sot, pasi dhe kërkuesi nuk është. Sot kërkuesi është kryeministri i Republikës së Shqipërisë. Përderisa jemi brenda 1 mujorit, nuk kemi vonesë.
© BalkanWeb