Tetë familje të izoluara/ Rruga që lidh fshatin Senisht në bashkinë Maliq prej muajsh e izoluar, banorët apelojnë për ndihmë
Rruga që lidh fshatin Senisht në bashkinë Maliq vijon të mbetet e bllokuar prej disa muajsh, si pasojë e reshjeve të shumta të shiut. Segmenti rrugor ka pësuar çarje dhe rrëshqitje dherash, duke u bërë i pakalueshëm për mjetet dhe duke izoluar banorët e zonës.
Në fshatin Senisht jetojnë tetë familje, të cilat aktualisht lëvizin vetëm në këmbë ose me kafshë, pasi automjetet nuk kanë mundësi të kalojnë.
Situata paraqet rrezik të vazhdueshëm për shkak të rënies së gurëve dhe dherave, ndërsa dëmtimet në rrugë janë përkeqësuar nga dita në ditë.
Banorët bëjnë me dije se prej muajsh i janë drejtuar institucioneve vendore për ndihmë, por deri më tani nuk ka pasur asnjë ndërhyrje konkrete.
Izolimi ka vështirësuar sigurimin e ushqimeve, lëvizjen e përditshme dhe aksesin në shërbimet shëndetësore, duke e bërë situatën edhe më shqetësuese.
Nga ana tjetër, bashkia Maliq njofton se rrëshqitja ka ndodhur në një segment rrugor prej rreth 80 metrash. Sipas autoriteteve lokale, ndërhyrja do të kryhet sapo të përmirësohen kushtet atmosferike, me qëllim futjen e mjeteve të rënda dhe hapjen e një rruge alternative. Deri në zgjidhjen e problemit, familjet e fshatit Senisht vijojnë të jetojnë të izoluara, përballë vështirësive të mëdha dhe rrezikut të përditshëm.
© BalkanWeb