Mbi 400 të dënuar pritet të lirohen nga burgu! Zbardhet relacioni për projektligjin e Amnistisë Penale, rreth 900 të burgosur përfitojnë ulje dënimi
Qeveria ka miratuar në mbledhjen e kësaj të premte projektligjin për Amnistinë Penale.
Sipas projektligjit, nga amnistia do të përfitojnë të dënuarit me vendim të formës së prerë të dhënë deri më 31 dhjetor 2025, kur burrat janë dënuar deri në 3 vite ose me dënim tjetër më të butë, dhe të dënuarat gra deri në 4 vjet.
Po ashtu përfitojnë nga amnistia të dënuarit burra që u kanë mbetur deri në 3 vite burg pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, si dhe gratë që u kanë mbetur deri në 4 vite burg. Drafti që pritet të shqyrtohet në komisionet parlamentare parashikon se përfitues do të jenë burrat e dënuar që në datën e hyrjes në fuqi të amnistisë janë baras ose mbi moshën 60 vjeç, ndërsa për gratë përfitimi do të jetë nëse janë mbi 50 vjeç, si dhe ata të dënuar që, në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç. Në projektligj janë të përcaktuar në mënyrë të detajuar personat që nuk përfitojnë ulje dënimi, në bazë të veprës penale të Kodit Penal për të cilën janë dënuar.
Nuk përfitojnë të dënuarit për krime kundër njerëzimit, krime kundër jetës, veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit, krime seksuale, vepra penale kundër lirisë së personit, vepra penale kundër moralit dhe dinjitetit, vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike, vepra penale kundër falsifikimit të dokumenteve, veprat penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve, vepra penale kundër mjedisit, krime kundër pavarësisë dhe rendit kushtetues, krime që cenojnë marrëdhëniet me shtetet e tjera, vepra me qëllime terroriste etj.
© BalkanWeb