“Informator” i Epsteinit/ Britania në mes të skandalit ‘Mandelson’, policia bastis shtëpitë e ish-ministrit
Zbulimi i komunikimeve sekrete elektronike midis Peter Mandelson dhe miliarderit të dënuar për pedofili Jeffrey Epstein po shkakton tronditje të madhe politike në Britani. Ish-kryeministri Gordon Brown e cilësoi situatën si “krim financiar” dhe “tradhti ndaj gjithçkaje që përfaqësojmë si vend”.
Mesazhet tregojnë se Mandelson, gjatë kohës që mbante poste të larta në qeverinë e Partisë Laburiste, i ka rrjedhur Epsteinit informacione të ndjeshme qeveritare dhe financiare, përfshirë planet e Thesarit për një taksë mbi bonuset e bankierëve gjatë krizës financiare të vitit 2008. Dokumentet sugjerojnë se ai mund të ketë ndikuar në tregjet financiare, duke vendosur Britaninë në rrezik. Hetimi policor, i zhvilluar nga Policia Metropolitane e Londrës, përfshiu dy prona të Mandelson në Londër dhe Wilshire, të cilat u kontrolluan, ndërsa aktualisht nuk janë bërë arrestime. Materialet do të analizohen për të përcaktuar nëse ai ka shkelur ligjin dhe ka dhënë informacion të klasifikuar një personi jashtë institucioneve shtetërore.
Mandelson dha dorëheqjen nga Dhoma e Lordëve dhe Partia Laburiste pas publikimit të zbulimeve, duke kërkuar falje për marrëdhënien me Epsteinin dhe për çdo ndikim të mundshëm mbi viktimat. Megjithatë, fakti që Kryeministri aktual Keir Starmer e emëroi atë ambasador në SHBA në vitin 2024, pavarësisht historikut të njohur me Epsteinin, ka ngjallur kritika dhe presion të madh brenda Partisë Laburiste.
Gordon Brown, i cili ka qenë rival politik i Mandelson për dekada, theksoi për BBC Radio 4 se: “Ky është informacion financiar i klasifikuar. Ai e vuri Britaninë në rrezik. Mund të kishte shkaktuar dëme të mëdha tregtare.” Ish-kryeministri kërkoi gjithashtu reforma të menjëhershme kushtetuese për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur transparencën në politikë dhe në Dhoma e Lordëve. Sipas dokumenteve të rrjedhura, Mandelson gjithashtu ofroi një shtëpi pushimi për Epsteinin në Toskanë dhe diskutoi marrëveshje financiare të ndjeshme. Policia po vazhdon hetimet e thelluara mbi këtë çështje, që ka përçarë politikën britanike dhe ka rikthyer vëmendjen mbi lidhjet e zyrtarëve të lartë me financierë të dyshuar për krime të rënda.
© BalkanWeb