Trump: Çdo vend që trafikon drogë në SHBA mund të sulmohet
Presidenti Donald Trump tha të martën se çdo vend që trafikon drogë të paligjshme në SHBA mund të sulmohet.
“Kushdo që e bën këtë dhe e shet atë në vendin tonë është subjekt i sulmit”, u tha Trump gazetarëve gjatë një takimi të kabinetit në Shtëpinë e Bardhë, pasi ngriti çështjen e kokainës nga Kolumbia. Presidenti kolumbian Gustavo Petro iu kundërpërgjigj Trump në një postim në X, duke argumentuar se kombi i Amerikës së Jugut shkatërron një laborator prodhues droge çdo 40 minuta – “pa raketa”.
Trump ka nisur një ofensivë kundër anijeve të dyshuara për trafik droge në Karaibe dhe Paqësor në muajt e fundit, duke vrarë dhjetëra përmes sulmeve me raketa të synuara.
Forcat ushtarake amerikane janë grumbulluar në Karaibe, me tensione që po rriten midis Trump dhe Nicolas Maduro, presidentit të Venezuelës, i cili kufizohet me Kolumbinë.
Administrata Trump pretendon se Maduro luan një rol kyç në furnizimin me drogë të paligjshme që kanë vrarë amerikanë, gjë që Maduro e ka mohuar. Në ditët e fundit, Trump ka sinjalizuar mundësinë e ndërhyrjes ushtarake amerikane në Venezuelë.
Trump të martën u tha gazetarëve se çdo vend që po dërgonte drogë të paligjshme në SHBA mund të jetë subjekt i sulmeve tokësore, “jo vetëm Venezuela”.
“Kam dëgjuar se vendi i Kolumbisë po prodhon kokainë, ata kanë fabrika prodhimi kokaine dhe pastaj na shesin kokainën e tyre”, tha Trump.
Petro, i cili është sanksionuar personalisht nga administrata Trump, e ftoi Trumpin të merrte pjesë në ofensivën kombëtare kundër drogës, por me një paralajmërim.
“Mos e kërcënoni sovranitetin tonë, ose do ta zgjoni Jaguarin”, tha Petro. “Sulmi ndaj sovranitetit tonë është shpallje lufte.”
© BalkanWeb