U morën peng nga bandat, lirohen 100 nxënës të rrëmbyer në Nigeri
Njëqind nxënës të një shkolle katolike në Nigerinë perëndimore, të rrëmbyer më 21 nëntor nga persona të armatosur të paidentifikuar, janë liruar. Lajmi u konfirmua nga një burim i Kombeve të Bashkuara dhe nga presidenca nigeriane, pa dhënë detaje mbi rrethanat e lirimit apo identitetin e rrëmbyesve.
Nxënësit, të cilët i përkisnin Shkollës Katolike të Shën Marisë në Papiri, shteti Niger, pritet t’u dorëzohen autoriteteve lokale ditën e hënë, sipas burimit të OKB-së.
Rrëmbyerjet masive të studentëve dhe fëmijëve nga grupe të armatosura janë bërë një fenomen i përsëritur në disa rajone të Nigerisë, ku bandat kriminale kërkojnë shpesh shpërblime për lirimin e pengjeve. Autoritetet ende nuk kanë dhënë informacione mbi operacionin që solli lirimin e nxënësve.
© BalkanWeb