Roberto Baggio kritikon futbollin italian: Tek ne “luajnë” më shumë menaxherët se vetë lojtarët…
8 Dhjetor 2025
13:17
Alfred Lleshi
Roberto Baggio ka bërë një “skaner” të gjendjes aktuale në futbollin italian: “Ndonjëherë shoh futbollistë në Serie C apo D që kanë talent të jashtëzakonshëm. Njerëz që e kanë mik topin. Ndalem dhe vëzhgoj lëvizjet e tyre, lojën e tyre, teksa brenda vetes pyes: Si ka mundësi që një lojtar i tillë luan në kategori të ulëta? A është e mundur që askush të mos e vërejë?
Pastaj shoh futbollistë që mbërrijnë në Serie A dhe bëjnë vetëm figurë statististikash. Lojtarë të marrë nga kampionate të panjohura, por që për ndonjë arsye futen në rrethin e duhur dhe përfundojnë në mënyrë ‘magjike’ në elitë. A është meritë e menaxherëve, e sponsorëve? Nuk e di…
Për ta rilançuar futbollin italian duhen futbollistë italianë. Në kategoritë e ulëta ka shumë të tillë. Kur luaja unë, në Serie A vinin vetëm të huaj që vërtet e meritonin. Pastaj ka pasur edhe shumë përjashtime, por kjo është normale.
Do të doja që akademitë të vlerësoheshin më shumë, ashtu siç po ndodh prej vitesh në Gjermani dhe Spanjë. Vetëm kështu mund të rikthehemi në nivele të larta. Klubet duhet të zgjohen, përfshirë edhe ekipet e mëdha. Duhet t’i japin më shumë fuqi futbollistit dhe jo menaxherëve”.