Sinner dhe Alcaraz fitojnë në fushë dhe në financa, së bashku kanë arkëtuar 130 milionë euro gjatë vitit 2025
10 Dhjetor 2025
10:47
Telesport
“Sincaraz” është një shfaqje që gjeneron bujë edhe kur nuk luajnë tenis. Dy tenistët më të mirë në botë, respektivisht spanjolli Carlos Alcaraz (numri 1) dhe italiani Jannik Sinner (numri 2) janë kthyer në një makinë fitimprurëse, një kompani që fiton trofe dhe tërheq vëmendjen e tifozëve dhe sponsorëve.
Në vitin 2025, Jannik Sinner dhe Carlos Alcaraz kanë një xhiro të kombinuar prej rreth 130 milionë eurosh fitim. Pas treshes së artë Federer, Nadal e Djokovic, dy tenistët janë kthyer në një fuqi. Çdo drejtor turneu ëndërron t’i ketë të dy në shortin kryesor dhe të përballen me njëri-tjetrin në finale.
E përditshmja italiane “Gazzetta Dello Sport” llogariti fitimet e dy lojtarëve më të mirë në botë, duke shqyrtuar të gjitha të ardhurat: paratë zyrtare të turneve dhe çmimet e tjera të dhëna nga ATP, vlerësimet e tarifave shtesë të turneut, marrëveshjet e sponsorizimit dhe turnetë “show”.
Në vitin 2025, italiani dhe spanjolli fituan pothuajse të njëjtën sasi parash çmimesh (çmime individuale të turneut) në eventet zyrtare të ATP (grand slam, Masters dhe turnetë e ndryshëm 500 pikë apo 250 pikë): 17.1 milionë euro për Sinner dhe 16.8 milionë euro për Alcaraz.
Megjithatë, aseti më strategjik është shfrytëzimi i të drejtave të imazhit: sponsorizimet, tregtimi dhe performancat. Lojtarët më të mirë të tenisit fitojnë më shumë nga këto sesa nga çmimet e turneut. E njëjta gjë vlen edhe për Carlos Alcaraz dhe Jannik Sinner.
Vlerësimet tregojnë 34 milionë euro fitim për Sinner dhe 32 milionë euro për Alcaraz. Duke marrë parasysh një rritje prej 10% të bonuseve dhe honorareve, shifrat për vitin 2025 do të arrinin përkatësisht në 37 milionë euro (italiani) dhe 35 milionë euro (spanjolli).
Ndërsa Nike, sponsori kryesor i ndarë nga të dy, i paguan Alcaraz një pagë më të lartë, pasi i ka rinovuar kontratën dy vjet pas Sinner (18 milionë euro kundrejt 15 milionë eurove). Por, portofoli i italianit është ende më i madh. Jannik krenohet me 14 bashkëpunime, katër më shumë se Carlos, dhe prej kohësh ka tregtuar logon e tij personale, dhelprën e stilizuar që shfaqet në kapele dhe produkte shkrimi. Spanjolli ka njoftuar se do të lançojë markën e tij “sa më shpejt të jetë e mundur”.
Kapitulli i fundit janë turnetë “show”, ku më fitimprurësi është Six Kings Slam, që u fitua nga Sinner (5.5 milionë euro). Megjithatë, spanjolli luajti në më shumë evente këtë vit: përveç Riadit, ai luajti edhe në Laver Cup, Battle of Legends në Porto Riko dhe, ditët e fundit, në ndeshjet kundër Tiafoe dhe Fonseca në Shtetet e Bashkuara, për një total të vlerësuar prej 4.5 milionë eurosh.
Kështu, duke mbledhur të gjitha pjesëmarrjet, Sinner fitoi 66 milionë euro dhe Alcaraz 64 milionë euro. Një makineri e vërtetë financiare, me vlerë afërsisht 130 milionë euro së bashku. Dhe shfaqja së shpejti do të ngrejë përsëri perden: më 10 janar në Seul, në një tjetër event “show”.