PL prezanton 12 amendamentet për Buxhetin 2026: Fond shtesë 2.5 mld lekë për pacientët e Onkologjikut
Partia e Lirisë paraqiti sot në një konferencë të përbashkët për shtyp 12 amendamentet që synojnë ndryshimin e projektbuxhetit 2026, të cilin e cilëson “antisocial” dhe “thellues të varfërisë”. Në një dalje për mediat, sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, buxheti i vitit të ardhshëm favorizon në mënyrë të padrejtë shpenzimet e infrastrukturës, ndërsa shtresat në nevojë, pensionistët, fermerët dhe sektori i shëndetësisë mbeten pa mbështetjen e duhur. Partia e Lirisë akuzon qeverinë se 70% e fondeve të investimeve shkojnë në Ministrinë e Infrastrukturës, ndërsa qytetarët përballen me çmime të rritura dhe kosto të papërballueshme të jetesës. Për këtë arsye, opozita ka paraqitur në Parlament një paketë me amendamente që do të shqyrtohen nen për nen në seancën plenare të së enjtes, me fokus mbështetjen sociale, zbutjen e varfërisë dhe forcimin e sektorëve kyç të ekonomisë.
Një nga propozimet kryesore është rritja e pensioneve përmes një fondi prej 16.2 miliardë lekësh, me qëllimin që pensionistët të përfitojnë një rritje reale prej 6.8% dhe jo rritjen minimale të parashikuar nga qeveria. Amendamenti i dytë lidhet me bujqësinë, për të cilën PL kërkon 15 miliardë lekë shtesë, duke argumentuar se ky sektor, ku punon 40% e fuqisë punëtore të vendit, po përjeton një situatë dramatike dhe është goditur edhe nga humbja e 112 milionë eurove të fondeve IPARD. Po ashtu, për kategoritë në nevojë, PL propozon një rritje prej 7.5 miliardë lekësh për ndihmën ekonomike, pagesat e aftësisë së kufizuar dhe papunësisë, duke pretenduar se qeveria vazhdon të mbajë një qëndrim përbuzës ndaj tyre.
Një tjetër propozim i rëndësishëm prek sektorin e shëndetësisë, ku kërkohen 7.5 miliardë lekë shtesë, si dhe 2.5 miliardë lekë të posaçme për Onkologjikun, i cili sipas PL është kthyer në një krizë humanitare për shkak të mungesës së barnave. Në fushën e arsimit, Partia e Lirisë kërkon 5.2 miliardë lekë shtesë të ndara mes arsimit bazë, atij të mesëm dhe universitare, ndërsa për kërkimin shkencor kërkon edhe 2 miliardë lekë të tjera. Propozime të tjera përfshijnë 1 miliardë lekë shtesë për sportin, 0.75 miliardë lekë për sigurinë ushqimore dhe 0.5 miliardë lekë për çështjet teknike dhe dokumentare që lidhen me këtë sektor.
Sipas Partisë së Lirisë, buxheti i qeverisë rrit pabarazinë dhe thellon varfërinë, ndërsa amendamentet e tyre synojnë t’i japin qytetarëve mbështetjen që u nevojitet për të përballuar rritjen e çmimeve dhe krizën ekonomike.
© BalkanWeb