30 ditë që të ndryshojnë jetën, psikiatrja Denisa Hoxha prezanton vetë-terapinë
schedule14:32 – 10 Dhjetor, 2025
Në studion e “ABC e Mëngjesit”, psikiatrja dhe autorja Denisa Hoxha prezantoi librin e saj të tretë, një projekt unik dhe transformues të quajtur “Merru me Veten 30 Ditë Vetë-Terapi”. Pas suksesit të “F*ck Kritika” dhe “Mos më Streso”, Hoxha rikthehet me një udhëtim 30-ditor që synon t’i rikthejë njeriut qetësinë, njohjen e vetes dhe çlirimin emocional.
Ky libër është i ndarë në katër javë, secila me një qëllim të qartë dhe të domosdoshëm për shëndetin mendor.
Denisa Hoxha e nis sfidën me një zhytje të thellë në historinë personale të çdo lexuesi.
“Kjo javë të çon në rrënjët e tua emocionale, në besimet e marra në fëmijëri dhe plagët që vazhdojnë të ndikojnë në mënyrën si e jeton jetën sot”, shpjegoi psikiatrja.
Këtu trajtohen zinxhirët e padukshëm emocionalë, frika, ndjenjat e fajit, por mbi të gjitha; guximi për të falur dhe për t’i dhënë vetes paqe.
Në libër mund të lexoni dhe kuptoni se çfarë programi duhet të ndiqni dhe për tre javët ë tjera, ndërkohë që sfida mbyllet me dy ditë të plota heshtjeje, një ballafaqim i thellë me versionin më të vërtetë të vetes.