A rrezikon Balluku një masë më të ashpër sigurie? Klodiana Lala sqaron ‘kleçkën’ me Nenin 242 të Kodit Penal
Teksa Belinda Balluku po merret në pyetje në GJKKO, ku do t’i komunikohen masat e dy ditëve më parë, të tjera detaje zbardhen në lidhje me çështjen në fjalë.
Në një lidhje live për News24, gazetarja Klodiana Lala sqaroi një kleçkë dhe tentativë se si po përdoret neni 242 i Kodit të procedurës penale.
“Neni 242 i Kodit të procedurës penale, përcakton pezullim nga detyra për atë zyrtarë të lartë që kanë marrë një pozicion si të emëruar dhe të zgjedhur. Në këtë rast nuk i preket mandati i deputetes, që është zgjedhur na qytetarët. Ndërkohë posti i zv.kryeministren dhe i ministres, janë detyra që i janë dhënë si të emëruara. Ky nen përcakton pezullim nga këto funksione. SPAK ka kërkuar masën e pezullimit të funksioneve për këto dy poste, ndërsa për masat më të ashpra të sigurisë siç janë ‘arrest shtëpie’ apo ‘arrest me burg’ do të duhet të ndiqet rruga parlamentare. Nëse ndiqet kjo rrugë, ka akuza të reja. Ideja se neni 142 i procedurës penale është një tentativë e një grupi juristësh apo të tjetër, për të mbrojtur qeverinë dhe zonjën Balluku”, tha Lala.
Gjykata e Posaçme vendosi dy ditë më parë masën e pezullimit nga detyra për Belinda Ballukun si dhe i ndaloi daljen jashtë vendit. Ndërsa për Gentian Gjylin, drejtor i ARRSH dhe Erald Elezin, administrator i KESH, u vendos masa e sigurisë “arrest shtëpie”. Çështja për Ballukun ka shkuar në Gjykatë Kushtetuese, ndërsa kryeministri Edi Rama, në deklaratën e tij të parë publike për këtë çështje, theksoi se do ta respektonin vendimin, por do ta çonin në Kushtetuese pasi ishte cenuar pushteti ekzekutiv. Dhe pak orë pas deklaratës së tij, dje në mesditë, Kryeministria çoi në Kushtetuese kërkesën për ankimim të vendimit të GJKKO.
Balluku po hetohet për tenderin e tunelit të Llogarasë si dhe për lotin nr.4 të Unazës së Madhe, ndërsa akuzohet për shkelje të barazisë në tendera.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb