A shkaktojnë tumor vaksinat anti-covid? Mjeku Jorgji: Problemi i vërtetë janë…
Mjeku Adrian Jorgji, i ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, reagoi ndaj pretendimeve të qarkulluara se vaksinat anti-Covid mund të shkaktojnë tumore. Ai theksoi se një lidhje e tillë nuk është vërtetuar nga asnjë studim shkencor deri më sot.
I pyetur drejtpërdrejt nëse vaksinat mund të shkaktojnë tumore, Jorgji u përgjigj: “Nuk është e vërtetuar shkencërisht. Që të themi këtë duhet të ketë një studim të mirëfilltë. Na mungon pika e referimit me individët e vaksinuar. Mungojnë pikat e referimit me situatën e tyre para vaksinimit.”
Sipas mjekut, që një vaksinë të akuzohet si shkaktar i tumoreve duhet të ekzistojnë prova të forta, të verifikueshme dhe të mbështetura në të dhëna afatgjata. “Që të arrijmë deri tek tumori flasim për një organizëm që kompromentohet në nivele madhore. Të bësh fajtor vaksinën duhet të ketë argumente shkencore,” tha ai.
Në vend të kësaj, Jorgji theksoi se rreziku i vërtetë për shëndetin publik buron nga faktorët toksikë të mjedisit të përditshëm. “Ne jetojmë në ambient toksik, nga ajri, uji, pesticidet, hormonet, koncentratet. Për këto duhet të ngrihet alarmi i madh dhe këto mund të shkaktojnë këto tumoret,” u shpreh mjeku, duke nënvizuar se këta faktorë janë shumë më të njohur në literaturën mjekësore si shkaktarë potencialë të sëmundjeve kancerogjene.
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb