Abuzim me tendera qindra mln euroshe/ Pezullimi i Ballukut në Kushtetuese, gjykata vendos sot për kërkesën e qeverisë
Gjykata Kushtetuese do të vendosë ditën e sotme për kërkesën e qeverisë lidhur me çështjen “Balluku”.
Qeveria i është drejtuar me një ankimim gjykatës, ku kërkon rrëzimin e masave të sigurisë nga ana e GJKKO për zv.kryeministren Belinda Balluku, duke pretenduar se ajo ka shkelur Kushtetutën dhe ka marrë kompetencat e Kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.
Kushtetuesja pritet që të vendosë sot se çfarë do të ndodhë me kërkesën pasi vendimmarrja është shtyrë disa herë.
Ankimimi i Kryeministrit u bë më 21 nëntor. Dosja kaloi te Kolegji i Gjyqtarëve, i cili u mblodh, por mbledhja u shty për në datën 2 dhjetor. Mirëpo Kolegji nuk pati unanimitet dhe dosja kaloi te Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila do të vendosë sot mbi fatin e dosjes.
Në kërkesën e dërguar në Kushtetuese Këshilli i Ministrave thotë se vendimi i Gjykatës së Posaçme për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres dhe ministres të Infrastrukturës dhe Energjisë ndërhyn drejtpërdrejtë në kompetenca e 3 organeve të shtetit: kryeministrit, Presidentit dhe Kuvendit.
“Pezullimi sjell pasoja të rënda të interesit shtetëror e shoqëror duke krijuar vakuum institucional pasi pamundëson propozimin e projekteve me rëndësi kombëtare për integrimin në Bashkimin Evropian, rreth 800 projekte për tu miratuar deri në fund të 2027 nga ministria që udhëhiqet nga ministri, i cili është pezulluar nëpërmjet vendimit të GJKKO-së”, arsyeton Këshilli i Ministrave.
Sipas qeverisë, Belinda Balluku nuk mund të pezullohej nga detyra, pasi në cilësinë e anëtares së qeverisë gëzon të drejtat si deputete.
Kujtojmë se GJKKO vendosi 2 masa sigurie ndaj Belinda Ballukut, pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë vendit. Gjithashtu, GJKKO vendosi arrest shtëpie për Gentian Gjylin, drejtor i ARRSH dhe Erald Elezin, administrator i KESH-it. Ata akuzohen për kryerjen e veprës penale, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të Kodit Penal, në lidhje me faktin penal që i përket procedurës së prokurimit me objekt “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”.
Si Balluku ashtu edhe vartësit e saj akuzohen për procedurat e tenderit të tunelit të Llogarasë dhe Unazës së Madhe të Tiranës. Tenderi i tunelit të Llogarasë kishte një vlerë prej 190 mln euro, 50 mln euro më shumë se procedura e parë ku fitues u shpall “Gjoka Konstruksion” por që më pas u anulua edhe herën e dytë iu dha turqve. Ndërsa Unaza e Madhe e Tiranës, loti 4 i saj, u ndërtua nga bashkimi i kompanive Euroteorema, Pe-vla-ku dhe NOVA Construction, me një fond prej 20 mln euro.
© BalkanWeb