Afera 190 mln euro me tunelin e Llogarasë/ GJKKO pezullon nga detyra Belinda Ballukun, i bllokon edhe pasaportën (VIDEO)
Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka vendosur 2 masa sigurie ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Lajmi konfirmohet për BalkanWeb nga gazetarja Klodiana Lala.
Mësohet se masa e marrë ndaj ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, është pezullim nga detyra dhe ndalim i daljes jashtë vendit.
Balluku është marrë rreth tre javë më parë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me aferën e tunelit të Llogarasë.
Akuzat e SPAK për Ballukun
Zv.kryeministrja dhe Ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, u mor zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tendera publike në 31 tetor 2025. Hetimi lidhet me procedurën e tenderit për Ndërtimin e tunelit të Llogarasë, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë). Tenderi fillimisht u hap më 11 dhjetor 2020, u anulua dhe u rihap më 22 qershor 2021, me fond limit 18,967,810,952.08 lekë pa TVSH.
Hetimi ka nisur pas një kontrolli në banesën e ish-Drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi, nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit në shkurt 2024, ku u sekuestruan telefona, pajisje kompjuterike dhe dokumente. Ekspertimi i këtyre pajisjeve ka mundësuar rikuperimin e komunikimeve të Berberit dhe bashkëshortes së tij, Adela Ruko, të cilat sollën më pas krijimin e një dosjeje që lidhet edhe me kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci, dhe përfshirjen e Ballukut në hetime.
Mësohet se Balluku ka rënë në rrjetën e komunikimeve me vartësin e saj Ervis Berberi gjatë kohës kur ai drejtonte ARRSH-në, ndërsa roli i saj në paracaktimin e fituesve të tenderave publikë mbetet objekt hetimi.
Hetimet kanë përfshirë gjithashtu tërheqjen e dokumenteve nga ARRSH për praktikën e prokurimit që lidhet me mbikëqyrjen e punimeve në tunelin e Llogarasë, si dhe verifikimin e aksioneve të kompanisë “Net-Group”, të cilat më 4 dhjetor 2024 iu dhuruan bashkëshortes së Valter Begajt, Loreta Vallja.
Njoftimi zyrtar i SPAK (31 tetor 2025)
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po heton në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025 (bashkuar me procedimet penale nr.167 dhe 181 të vitit 2024), për veprën penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, parashikuar nga neni 258 i Kodit Penal.
Në kuadër të hetimit të këtij procedimi penal, sot, më 31.10.2025 i është njoftuar akuza të pandehurës Belinda Balluku, me funksionin e lartë shtetëror, Ministër i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, akuzuar për kryerjen e veprës penale,“Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, parashikuar nga nenet, 258/2 dhe 25 i Kodit Penal.
Deri në këtë fazë të hetimeve paraprake, faktet penale, objekt akuze në ngarkim të të pandehurës Belinda Balluku, kanë të bëjnë me veprimet e saj, në cilësinë e Ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për njërën nga procedurat e prokurimit, objekt i këtij hetimi, “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”, në seksionin rrugor Orikum-Himarë, pjesë e autostradës SH8 (Vlorë-Sarandë), zhvilluar në datën 11.12.2020 dhe pas anulimit të saj, procedura është rihapur në datën 22.6.2021, me fond limit, 18 967 810 952.08 (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy (pikë) zero tetë) lekë pa TVSH.
Më 21.10.2025, Prokuroria e Posaçme, si organ procedues ka njoftuar të pandehurën përmes shkresës me numër protokolli 37398. E pandehura, pasi mori dijeni, ka njoftuar më 23.10.2025, organin procedues se nuk mund të paraqitej në datën dhe orën e caktuar. Me anë të një shkrese tjetër, me numër protokolli 37881, datë 24.10.2025, Prokuroria e Posaçme kërkoi paraqitjen e saj sot, më 31 tetor, në orën 15:00
© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb