Aferat e Ballukut/ Gjykata Kushtetuese zbardh vendimin për ankimin e Qeverisë. Ja si votuan gjyqtarët
Gjykata Kushtetuese vendosi me 5 vota pro dhe 3 kundër të pezullojë zbatimin e vendimeve gjyqësore datë 22 nëntor të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku.
Në vendimin e plotë i zbardhur , thuhet se në mbledhjen e gjyqtarëve votuan pro vendimit të GJKKO gjyqtarët Sonila Bejtja, Gent Ibrahimi Sandër Beci, Marjana Selimi dhe Fiona Papajorgji, ndërsa kundër votuan Ilir Toska, Marsida Xhaferllari dhe Asim Vokshi.
Vendimi i plotë
Mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë (Mbledhja e Gjyqtarëve), e përbërë nga Marsida Xhaferllari, Kryesuese Fiona Papajorgji, Anëtare Sonila Bejtja, Anëtare, Ilir Toska, Anëtar, Genti Ibrahimi, Anëtar, Marjana Semini, Anëtare, Asim Vokshi, Anëtar, Sandër Beci, Anëtar në datën 12.12.2025 mori në shqyrtim kërkesën paraprake të paraqitur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë (kërkuesi) për pezullimin e zbatimit të vendimit nr. 118, datë 19.11.2025m të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKКОja e Shkallës së Parë) për pjesën që ka disponuar vendosjen dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar (ligji organik i Gjykatës).
Mbledhja e Gjyqtarëve, bazuar në nenin 45, pika 1, të ligjit organik të Gjykatës dhe nenin 27 të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese (Gjykata), vëren se në datën 21.11.2025 kërkuesi, Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, i është drejtuar Gjykatës me kërkesë, duke pretenduar: (i) zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit e Këshillit të Ministrave dhe GJKKO-së së Shkallës së Parë; (ii) shfuqizimin e vendimit të GJKKO-së së Shkallës së Parë që ka vendosur masën ndaluese të pezullimit të ushtrimit të detyrës së zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases Belinda Balluku dhe pezullimin e këtij vendimi; (iii) interpretimin e pikës 3 të nenit 103 të Kushtetutës.
Në mbështetje të kërkesës për pezullim, kërkuesi ka pretenduar se vendimi i GJKKКОsë së Shkallës së Parë prek interesa të lartë shtetërorë, shoqërorë, por edhe të vetë individëve.
Sipas tij, pezullimi mbron sistemin e qeverisjes, duke ruajtur funksionalitetin e plotë të Këshillit të Ministrave, i cili ushtron çdo funksion shtetëror që nuk u është dhënë organeve të pushteteve të tjera shtetërore ose të qeverisjes vendore. Kërkuesi ka pretenduar se vendimi sjell pasoja të pariparueshme për qeverisjen e vendit, duke krijuar vakum institucional, mosfunksionim të Këshillit të Ministrave dhe pamundësi për ushtrimin e përgjegjësive dhe të kompetencave që Kushtetuta e legjislacioni në fuqi i njeh ekskluzivisht pushtetit ekzekutiv. Gjithashtu, ai ka pretenduar se është në interes shtetëror që kompetencat e Kryeministrit, të Presidentit dhe të Kuvendit të vazhdojnë të prodhojnë efektet juridike, ndërsa lënia në fuqi e vendimit të GJKKO-së do të thellonte konfliktin e kompetencave ndërmjet pushtetit gjyqësor, në njërën anë, dhe pushteteve legjislative dhe ekzekutive, në anën tjetër, duke cenuar më tej parimin e ndarjes e të balancimit të pushteteve. Sipas tij, pezullimi i një ministri ose zëvendëskryeministri njëkohësisht pezullon veprimtarinë e pushtetit ekzekutiv në fushën e përgjegjësisë të ministrit dhe të zëvendëskryeministrit të pezulluar.
Në datën 27.11.2025 kërkuesi i është drejtuar sërish Gjykatës me kërkesë për shtimin objektit të kërkesës, duke kërkuar edhe shfuqizimin e vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, për pjesën që ka disponuar për vazhdimin e zbatimit të masës ndaluese ndaj zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, shtetases Belinda Balluku.
Në kushtet kur këto dy vendime, në thelb, shprehen për të njëjtën masë ndaluese, ndonëse kërkuesi nuk ka kërkuar në kërkesën për shtesë objekti edhe pezullimin e vendimit nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, Mbledhja e Gjyqtarëve çmon t’i vlerësojë pretendimet për vendosjen e masës së pezullimit edhe për këtë vendim.
Sipas nenit 45, pika 1, të ligjit organik të saj, Gjykata, kryesisht ose me kërkesë të palëve, kur vlerëson, ndër të tjera, se zbatimi i aktit mund të sjellë pasoja që prekin interesa shtetërorë, sipas rastit, me vendim të Mbledhjes së Gjyqtarëve urdhëron pezullimin e tij.
Sipas kësaj dispozite, së pari: subjekti që kërkon pezullimin e një akti duhet të provojë prekjen e interesave shtetërorë, si dhe pasojat e pariparueshme që do të sjellë zbatimi i aktit; së dyti: shqyrtimi i kërkesës mund të bëhet nga Gjykata edhe përpara seancës plenare.
Mbledhja e Gjyqtarëve, pasi mori në shqyrtim pretendimet e kërkuesit në mbështetje të kërkesës për pezullim, vlerësoi se në rastin konkret ajo ndodhet në kushtet e parashikuara nga neni 45 i ligjit organik të Gjykatës. Në vlerësimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve, zbatimi i vendimeve 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të GJKKO-së së Shkallës së Parë, si dhe vazhdimi i masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, njëkohësisht zëvendëskryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, rrezikon të sjellë pasoja që prekin interesat shtetërorë gjatë ushtrimit të kompetencave kushtetuese të pushtetit ekzekutiv në drejtim të përcaktimit të politikave të përgjithshme shtetërore.
Për këto arsye, mbledhja e Gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, në mbështetje të nenit 45, pika 1, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar dhe nenit 27, të Rregullores për Procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi Pezullimin e zbatimit të vendimeve gjyqësore nr. 118, datë 19.11.2025 dhe nr. 120, datë 22.11.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për pjesën që kanë disponuar caktimin dhe vazhdimin e masës ndaluese “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj shtetases Belinda Balluku, sipas nenit 45 të ligjit organik të Gjykatës.
Gjyqtarët që votuan pro
Sonila Bejtja
Fiona Papajorgji
Genti Ibrahimi
Sandër Beci
Marjana Semini
Gjyqtarët që votuan kundër
Marsida Xhaferllari
Ilir Toska
Asim Vokshi
© BalkanWeb