AKSHI: Nuk ndryshojnë tarifat për biznesin në e-Albania, shtohet një shërbim i ri për qytetarët
Tarifat e përcaktuara në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave lidhen vetëm me subjektet private që dëshirojnë të ndërveprojnë teknikisht me regjistrat elektronikë, bazat e të dhënave shtetërore, pra për ato palë që kërkojnë të integrojnë sistemet e tyre elektronike me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit (GG) për shkëmbim të të dhënave në kohë reale.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) sqaron se edhe pas ndryshimeve të miratuara nga Këshilli i Ministrave, tarifat e përdorimit të shërbimeve elektronike në portalin e-Albania mbetet falas për qytetarët dhe bizneset në përdorimin e zakonshëm.
Pagesat e reja prekin vetëm subjektet private që kërkojnë ndërveprim teknik me regjistrat shtetërorë për shkëmbim të dhënash në kohë reale.
“Shërbimet elektronike të portalit qeveritar e-Albania vijojnë të mbeten falas për qytetarët dhe bizneset në përdorimin e tyre të zakonshëm, përveç rasteve kur ato kanë një tarifë të përcaktuar nga baza ligjore në fuqi e institucionit ofrues të shërbimit.
Tarifat e përcaktuara në vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave lidhen vetëm me subjektet private që dëshirojnë të ndërveprojnë teknikisht me regjistrat elektronikë, bazat e të dhënave shtetërore, pra për ato palë që kërkojnë të integrojnë sistemet e tyre elektronike me Platformën Qeveritare të Ndërveprimit (GG) për shkëmbim të të dhënave në kohë reale.
Këto tarifa nuk aplikohen për përdoruesit e zakonshëm të portalit, por vetëm për subjektet që përdorin funksionalitete teknike të avancuara, të dedikuara për ndërveprim ndërmjet sistemeve.
Gjithashtu, sqarojmë se tarifat për shërbimin e nënshkrimit elektronik dhe vulës elektronike nuk kanë ndryshuar.
Megjithatë, është shtuar një shërbim i ri i nënshkrimit elektronik për qytetarët, i cili u mundëson atyre ulje të ndjeshme të kostove financiare. Pajisja me këtë nënshkrim është vullnetare”, sqaron AKSHI.
“Përmes këtij shërbimi, shumë veprime që më parë kërkonin shërbime noteriale apo prezencë fizike, si nënshkrimi i kontratave, deklaratave apo autorizimeve, tashmë mund të realizohen plotësisht online, me fuqi të barabartë ligjore. Kjo shmang pagesat noteriale, udhëtimet dhe shpenzimet e tjera që lidhen me dokumentet fizike.
Së fundmi, dëshirojmë t’ju bëjmë me dije se shërbimet e para që do të ofrohen së shpejti si “shërbime të besuara”, ku qytetarët do të përdorin nënshkrimin elektronik, janë:
• Prokura e posaçme
• Deklarata noteriale, nëpërmjet së cilës njëri nga prindërit autorizon prindin tjetër (ose të dy prindërit një familjar) të shoqërojë të miturin nën 16 vjeç për të udhëtuar jashtë territorit të Shqipërisë”, vijohet më tej në sqarim.
Vendimi i djeshëm i miratuar nga Këshilli i Ministrave, pas botimit në Fletoren Zyrtare do të shfuqizojë zbatimin e vendimit të miratuar në 2020 “Për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”.
Vendimi i ri mban të pandryshuara tarifat për subjektet private, përfshirë tarifat prej 20 lekë për vulosje dokumentesh/transaksion nga e-Albania, tarifën prej 15 lekë për transaksion në platformën GG.
Tarifat e miratuara për bizneset përfshirë nënshkrim elektronik (1 vit) do të vijojë të mbetet 4 800 lekë, si dhe tarifa 4,000 lekë për certifikatë elektronike fiskalizimi (1 vit).
Me vendimin e ri shtohet tarifa prej 2,000 lekë për nënshkrimin elektronik për shtetas shqiptarë dhe të huaj.
Vendimi 2025
Këshilli i Ministrave ka përcaktuar tarifat për shërbimet elektronike të ofruara nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për administratën publike, subjektet private dhe qytetarët:
Për institucionet publike:
• Nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike për fiskalizim dhe transaksione në platformën GG: tarifë zero.
Për subjektet private:
• Nënshkrim elektronik (1 vit): 4 800 lekë
• Vulosje dokumentesh/transaksion: 20 lekë
• Certifikatë elektronike fiskalizimi (1 vit): 4 000 lekë
• Transaksion në platformën GG: 15 lekë
Për shtetas shqiptarë dhe të huaj:
• Nënshkrim elektronik (1 vit): 2 000 lekë
Pagesa: realizohet online përmes portalit e-Albania, dhe të gjitha të ardhurat derdhen 100% në buxhetin e shtetit.
Ngarkohen AKSHI për zbatimin e vendimit, i cili hyn në fuqi menjëherë dhe shfuqizon vendimin e mëparshëm të vitit 2020.
Vendimi 2020
Nr. 35, datë 22.1.2020
PËR MIRATIMIN E TARIFAVE PËR SHËRBIMET ELEKTRONIKE TË AGJENCISË KOMBËTARE TË SHOQËRISË SË INFORMACIONIT
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe në vijim të pikave 5, shkronja “ë”, dhe 6, shkronja “e”, të kreut II, të vendimit nr. 673, datë 22.11.2017, të Këshillit të Ministrave, “Për riorganizimin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave
VENDOSI:
1. Shërbimet elektronike në favor të organeve dhe institucioneve të administratës publike dhe subjekteve private ofrohen nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, kundrejt aplikimit të
tarifave përkatëse.
2. Për organet dhe institucionet e administratës publike, shërbimi elektronik për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike, transaksion në platformën qeveritare të
ndërveprimit (GG), ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, me tarifën zero lek.
3. Për subjektet private, shërbimi elektronik për nënshkrim elektronik, vulë elektronike, certifikatë elektronike, transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG), ofrohet nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit me tarifat, si më poshtë vijojnë:
a) 4 800 (katër mijë e tetëqind) lekë, përfshirë TVSH-në, për nënshkrimin elektronik, me afat vlefshmërie 1 vit;
b) 20 (njëzet) lekë, përfshirë TVSH-në, për shërbimin e vulosjes së dokumenteve me vulë elektronike/për transaksion;
c) 4 000 (katër mijë) lekë, përfshirë TVSH-në, për certifikata elektronike për sistemin fiskal, me afat vlefshmërie 1 vit;
ç) 15 (pesëmbëdhjetë) lekë, përfshirë TVSH-në, për transaksion në platformën qeveritare të ndërveprimit (GG).
4. Pagesa e tarifave kryhet nga subjektet private në momentin e aplikimit online për kryerjen e veprimeve dhe të procedurave, nëpërmjet pagesës elektronike në portalin e-Albania.
5. Të ardhurat e realizuara derdhen 100% në buxhetin e shtetit, në përputhje me vendimin nr. 432, datë 28.6.2006, të Këshillit të Ministrave, “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave, që krijohen nga institucionet buxhetore”.
6. Vendimi nr. 15, datë 12.1.2018, i Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e tarifave për shërbimet elektronike të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë të Informacionit”, shfuqizohet.
7. Ngarkohet Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.