Alarm në Azi/ Aeroportet rikthejnë masa të ngjashme me COVID-19 pas rasteve të virusit Nipah në Indi
Aeroportet në disa vende aziatike kanë filluar të rivendosin masa të rrepta sigurie shëndetësore, që kujtojnë periudhën e pandemisë COVID-19, pas shfaqjes së rasteve të virusit vdekjeprurës Nipah në Indi, i cili karakterizohet nga një shkallë jashtëzakonisht e lartë vdekshmërie.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), virusi Nipah është një sëmundje zoonotike, që transmetohet nga kafshët te njerëzit, por mund të përhapet edhe përmes ushqimit të kontaminuar ose kontaktit të drejtpërdrejtë midis njerëzve. Shkalla e vdekshmërisë së infeksionit varion nga 40 deri në 75 për qind dhe, deri më tani, nuk ekziston asnjë trajtim i miratuar, as për njerëzit dhe as për kafshët.
Virusi është rikthyer në vëmendjen ndërkombëtare pasi u konfirmuan pesë raste në shtetin indian të Bengalit Perëndimor. Sekretari i përgjithshëm i departamentit rajonal të shëndetësisë, Narayan Swaroop Nigam, i tha gazetës Telegraph se dy nga rastet e konfirmuara përfshijnë infermierë që punonin në një spital privat, ku njëra prej tyre ndodhet në gjendje kritike.
Dy infermieret kanë punuar së bashku në spital nga 28 deri më 30 dhjetor dhe disa ditë më vonë shfaqën simptoma, duke u shtruar në kujdes intensiv më 4 janar. Sipas Independent, deri më 26 janar rreth 100 persona janë vendosur në karantinë si masë parandaluese.
Pas konfirmimit të rasteve, vende si Tajlanda, Nepali dhe Tajvani kanë forcuar kontrollet shëndetësore në aeroportet e tyre. Departamenti i Kontrollit të Sëmundjeve i Tajlandës njoftoi se janë vendosur procedura të posaçme për monitorimin e udhëtarëve në pikat ndërkombëtare të hyrjes.
Sipas autoriteteve, pasagjerët me temperaturë të lartë ose me simptoma që sugjerojnë infeksion me virusin Nipah i nënshtrohen testeve shtesë, ndërsa rastet e dyshimta transferohen në ambiente të veçanta karantine.
© BalkanWeb