Albanesi i përgjigjet Netanyahut: Nuk ka lidhje mes njohjes së shtetit palestinez dhe sulmit në Sydney
Kryeministri australian Anthony Albanese ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet e kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se njohja e shtetit palestinez nga Australia ka kontribuar në rritjen e antisemitizmit, duke theksuar se ky vendim nuk ka asnjë lidhje me sulmin terrorist të ndodhur në Bondi Beach të Sidneit. I pyetur nga Korporata Australiane e Transmetimeve (ABC) nëse shihte një lidhje mes njohjes së shtetit palestinez në fillim të këtij viti dhe sulmit terrorist të djeshëm, Albanese u përgjigj prerë: “Jo, nuk e shoh.” Ai hodhi poshtë gjithashtu deklaratën e Netanyahut se ky vendim “i shton benzinë zjarrit të antisemitizmit”.
Kryeministri australian theksoi se qëndrimi i qeverisë së tij është në përputhje me konsensusin ndërkombëtar. “Shumica dërrmuese e vendeve në botë e pranojnë se zgjidhja me dy shtete është rruga përpara në Lindjen e Mesme,” u shpreh Albanese, duke nënvizuar dimensionin diplomatik dhe ndërkombëtar të politikës australiane ndaj çështjes palestineze.
Të dielën, Benjamin Netanyahu deklaroi se në një letër drejtuar Albanese-s në muajin gusht, i kishte kërkuar atij të “zëvendësonte dobësinë me veprim dhe qetësimin me vendosmëri”. Sipas Netanyahut, kryeministri australian kishte “zëvendësuar dobësinë me edhe më shumë dobësi dhe qetësimin me edhe më shumë qetësim”. Duke iu përgjigjur këtyre kritikave, Albanese tha se prioriteti i tij në këtë moment është “të bashkojë kombin dhe të promovojë unitetin”, duke theksuar se terroristët synojnë “të na ndajnë si komb dhe të kthejnë një australian kundër një tjetri”.
Ai vuri theks të veçantë te mbështetja për komunitetin hebraik në Australi, duke deklaruar: “Ne duhet të përqafojmë anëtarët e komunitetit hebraik që po kalojnë një kohë jashtëzakonisht të vështirë, jo vetëm ata që kanë humbur të dashurit e tyre, por çdo anëtar të komunitetit hebraik në Australi.”. Albanese shtoi se “24 orët e fundit kanë qenë jashtëzakonisht traumatike” dhe theksoi se detyra e tij si kryeministër është “të ofrojë mbështetje për komunitetin hebraik dhe të bëjë të qartë se australianët, në shumicën dërrmuese të tyre, qëndrojnë pranë tyre në këtë kohë të vështirë”.
© BalkanWeb