Alcaraz: Nëse mposht Sinner dhe fitoj Australian Open do të bëj tatuazh një kangur
16 Janar 2026
12:34
Telesport
Pasi fitoi në eventin miqësor të një jave më parë në Korenë e Jugut, tenisti spanjoll Carlos Alcaraz përgatitet për grand slam të Australian Open, që nis të hënën. Ky është i vetmi turne i madh që numri 1 në botë nuk e ka fituar në karrierën e tij, grand slam ku nuk ka shkuar më shumë se çerekfinalja.
Duke folur për pritshmëritë në turneun që zhvillohet në Melburn dhe punën që ka kryer me stafin e tij, Alcaraz tha: “Ekipi im është praktikisht i njëjtë me vitin e kaluar. Unë dhe Juan Carlos e kemi marrë këtë vendim. Kam besim të plotë në ekipin që kam përreth meje tani. Stërvitja ka shkuar shkëlqyeshëm. Ndihem shumë mirë dhe mezi pres të filloj këtë turne”.
Ai nuk e mohon qëllimin e tij ambicioz, fitimin e Australian Open: “Mendoj se ky është qëllimi im kryesor për këtë vit. Është grand slam i vetëm që nuk e kam fituar, ndaj suksesi këtu në Melburn është qëllimi im më i madh i këtij sezoni. Do të jetë shumë interesante të shoh rezultatet e përgatitjes sime”.
“Mendoj se kam bërë një punë të mirë dhe jam në formë të mirë. Jam i uritur, mezi pres ta fitoj këtë titull, mezi pres të arrij një rezultat të shkëlqyer këtu. Sinner ka fituar këtu dy edicionet e fundit dhe e di që është e vështirë ta mposht. Nëse ia dal mbanë do të bëj një tatuazh, një kangur. Ndoshta do ta vendos në pulpën time”, tha Alcaraz.