“Allegri të bën luftëtar. Të luash bukur apo të fitosh? Kujtohen vetëm ata që fitojnë”
30 Janar 2026
10:47
Alfred Lleshi
Milani i titullit, Bologna e Champions League, Roma e rikthimit të madh dhe sërish Milani në garë për yllin e dytë kanë një emërues të përbashkët’ Alexis Saelemaekers. Anësori belg po i jep shumë Massimiliano Allegrit, i cili deshi fort ta mbante në Milano. “Ai të mëson agresivitetin agonistik dhe ta mbash gjithmonë të lartë përqendrimin”, – tha Saelemaekers për “Corriere dello Sport”.
Për Allegrin shtoi: “Që nga dita e parë punon për të fituar. Me të rritesh mendërisht, sepse të shtyn të japësh 100% në çdo moment. Të kërkon të luftosh çdo top, sepse nga çdo top mund të lindë diçka e rëndësishme. E përsërit shpesh se rezultati mund të varet nga një episod…, Allegri ta ndryshon mendësinë. Të luash bukur apo të fitosh? Kujtohen vetëm ata që fitojnë”.
Ai foli edhe për Modric (“fitues, por shumë i përulur”), Rabiot (“personalitet i jashtëzakonshëm”) dhe Leão (“ka ulje-ngritje, por cilësi të rralla”). Për fishkëllimat në “Olimpico”, pas 1-1 me Romën: “Më erdhi shumë keq. I kuptoj tifozët, por nuk kursehem kurrë. Romës i kam dhënë shumë dhe kam marrë shumë; në verë i ndamë rrugët tona”.