Alonso “ia hedh” edhe këtë javë, Real Madrid vuan por del me 3 pikë nga transferta ndaj Alaves (video)
14 Dhjetor 2025
22:53
Telesport
Real Madrid është rikthyer te fitorja në La Liga, pasi mposhti në transfertë Alaves me shifrat 1-2. Pjesa e parë është mbyllur 0-1 për madrilenët, të cilët gjetën golin me Kylian Mbappe.
Francezi ka lënë pas shqetësimet që ka pasur në kofshë dhe shënoi një gol shumë të bukur në minutën e 24-të, pas asistit që mori nga Jude Bellingham.
Kylian Mbappé duhet të shënojë edhe 3 gola të tjerë për të thyer rekordin e Cristiano Ronaldos për më shumë gola në 1 vit kalendarik si lojtar i Real Madridit. Ronaldo ka shënuar 59 gola, Mbappe aktualisht ka 57 gola.
Në minutën e 67-të, pas një topi të gjatë të marrë nga Antonio Blanco, Carlos Vicente zë në befasi madrilenët dhe mposht Thibaut Courtois. Ndërhyn VAR, goli është i rregullt.
Madrilenët nuk u demoralizuan dhe gjetën sërish avantazhin në minutën e 76-të, ku Rodrygo shënoi pas një asisti dhe kombinimi të mrekullushëm me Vinicius Junior. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, Alaves-Real Madrid 1-2.
Pas kësaj fitoreje, Real Madrid mban vendin e dytë me 39 pikë, 4 pikë më pak se Barcelona e vendit të parë, ndërsa Alaves renditet në vendin e 12-të.
Kjo fitore mund të sjellë pak qetësi për Xabi Alonso-n, i cili ka qenë nën presion të madh këto ditë, pasi në rast dështimi sot, rrezikonte shumë shkarkimin.