Analiza e Sky News: Pse Putini nuk pranon planin e paqes për Ukrainën
Sky News ka bërë një analizë pas bisedimeve 5-orëshe që Vladimir Putin pati dje me të dërguarin e Trump për Ukrainën, Steve Witkoff, dhe dhëndrin e presidentit amerikan, Jared Kushner, duke vlerësuar se presidenti rus nuk do të bjerë dakord me versionin e fundit të planit të paqes.
Dita e keqe ishte e dukshme që në fillim, sipas medias britanike, pasi dy të dërguarit amerikanë “morën trajtim VIP gjatë vizitës së tyre në Moskë. Pati një autokolonë nga aeroporti, një vakt në një restorant me yje Michelin dhe madje edhe një shëtitje në Sheshin e Kuq.
Kur filluan bisedimet – pasi Putini i organizoi ato për rreth 1.5 orë – “ishte tashmë e qartë se e vetmja gjë për të cilën kishin ardhur në Moskë nuk ishte e realizueshme: dakordësia e Rusisë me planin e tyre të paqes.
Putini ishte siguruar tashmë që t’ia hidhte të gjithë fajin Evropës.
“Ndërsa të ftuarit e tij po drekonin, ai ishte i zënë duke akuzuar aleatët e Ukrainës se po pengonin procesin e paqes duke imponuar kërkesa që janë të papranueshme për Rusinë”, vëren Sky Neës.
“Megjithatë, në kontrast me klimën armiqësore ndaj Evropës, ndaj amerikanëve kishte vetëm mikpritje – pjesë e strategjisë së Rusisë për të distancuar SHBA-në nga aleatët e saj të NATO-s dhe për t’i rikthyer ata në anën e Moskës. Rusia dëshiron të kthehet te plani 28-pikësh që pasqyronte kërkesat e saj. Dhe beson se ka të drejtë ta bëjë këtë duke pasur parasysh zhvillimet në fushën e betejës. Nuk është rastësi që në prag të vizitës së delegacionit amerikan në Moskë, Rusia njoftoi kapjen e Pokrovskut, një objektiv strategjik në rajonin e Donetskut. Ishte një mesazh që synonte të konfirmonte sovranitetin e Rusisë dhe, për rrjedhojë, të forconte kërkesat e saj në vend që t’i zbuste ato. Arsyeja tjetër pse Vladimir Putin nuk e ndjen nevojën për kompromis është sepse ai beson se Moska dhe Uashingtoni duan të njëjtën gjë: marrëdhënie më të ngushta midis SHBA-së dhe Rusisë, të cilat mund të arrihen vetëm pasi të mbarojë lufta. E gjithë kjo jep përshtypjen se, kur bëhet fjalë për Rusinë, SHBA-të preferojnë të qetësojnë sesa të ushtrojnë presion. Dyshoj nëse Volodymyr Zelensky ka më shumë shpresë”, përfundon analiza e Sky Neës.
© BalkanWeb