Anëtari i jurisë së Miss Universe 2025 jep dorëheqjen: Nuk bëhem pjesë e kësaj maskarade
schedule12:44 – 20 Nëntor, 2025
Polemika kanë shpërthyer përpara konkursit të bukurisë “Miss Universe 2025”, pas dorëheqjes së papritur të një prej anëtarëve të jurisë, muzikantit dhe kompozitorit libanez Omar Harfouch. Ai u tërhoq vetëm pak ditë para nisjes së eventit, duke ngritur shqetësime serioze për integritetin dhe transparencën e procesit të përzgjedhjes.
Dorëheqja e Harfouch ka rritur vëmendjen mbi procedurat e brendshme të konkursit dhe ka hapur debat publik mbi mënyrën se si janë përzgjedhur 30 finalistet. Sipas tij, arsyeja kryesore e largimit ishte zbulimi i një “grupi jozyrtar” që dyshohet se ka ndikuar në listën e finalisteve, pa dijeninë e jurisë zyrtare.
Harfouch deklaroi se ky grup përfshinte persona me lidhje personale me disa prej konkurrenteve dhe se dikush i përfshirë në procesin e numërimit të votave kishte konflikt interesi. Ai theksoi se përgjegjësi i menaxhimit të rezultateve ishte pjesë e këtij grupi, duke e konsideruar këtë një shkelje të rëndë të transparencës.
Sipas tij, vendimi për t’u larguar u përforcua pas një bisede të tensionuar me pronarin e konkursit, Raul Rocha. Pas dorëheqjes, Harfouch njoftoi se do të tërhiqte edhe muzikën që kishte kompozuar posaçërisht për programin. Ai shtoi se për ekzistencën e këtij komiteti paralel kishte mësuar fillimisht përmes rrjeteve sociale, gjë që e shtyu të publikonte shqetësimet e tij në Instagram.
Situata u përshkallëzua pasi Organizata e Miss Universe publikoi listën e komitetit “Përtej Kurorës”, të përbërë nga tetë persona të prezantuar si liderë të angazhuar me komunitetin. Harfouch vuri në dukje se emri i tij nuk ishte pjesë e kësaj liste dhe kritikoi faktin se rolet e këtyre personave nuk ishin të qarta, duke e thelluar edhe më shumë konfuzionin rreth procesit të vlerësimit. Ai po ashtu pretendoi se individët e bërë publikisht të ditur nuk ishin të njëjtët persona që kryenin detyrat e jurimit në prapaskenë. / abcnews.al /
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!