Anglia largohet me probleme nga Tirana, Tuhel paralajmëron Bellingam: Vendimet duhen pranuar, nuk i ndryshoj vetëm se dikush tund krahët
Anglia ka mbyllur në mënyrë perfekte kualifikueset duke fituar ndeshjen e 8 në po aq të luajtura, me suksesin 2-0 në Tiranë ndaj Shqipërisë. Por anglezët do të marrin nga kjo ndeshje edhe një problem që duket se ka lindur në grupin e “tre luanëve”.
Xhud Bellingam u shfaq i pakënaqur kur trajneri Tomas Tuhel vendosi ta nxirrte nga fusha e lojës, pasi Herri Kejn shënoi golin e dytë, duke aktivizuar Roxhers në vend të tij.
“E pashë që nuk ishte i lumtur. Duhet ta rishikoj. Deri në një farë mase, nëse ke lojtarë si Xhud të cilët janë kaq konkurrues, atyre nuk do t’u pëlqejë kurrë. Por fjala ime qëndron, ne jemi për standardet dhe një nivel përkushtimi ndaj njëri-tjetrit dhe respekti për njëri-tjetrin. Pra, nëse dikush po pret jashtë, ne nuk do ta ndryshojmë vendimin tonë vetëm sepse dikush po tund krahët.
Nuk dua të kërkoj më shumë se sa duhet nga kjo, por i përmbahem fjalëve të mia, “sjellja është çelësi” dhe respekti ndaj shokëve të ekipit që futen. Vendimet merren dhe duhet t’i pranosh si lojtar. Ky është vendimi dhe ai duhet ta pranojë vendimin. Shoku i tij po pret në vijën anësore. Duhet ta pranosh dhe ta respektosh dhe të vazhdosh. Xhud gjithashtu mori një karton të verdhë dhe ne e morëm vendimin para golit të dytë. Vendimi mbetet në fuqi”, tha Tuhel para gazetarëve.
Më pas atij iu tha edhe se Bellingam nuk kishte festuar me shokët golin, edhe pse pamjet tregojnë se ai përgëzoi Kejn.
“Kjo të lë një përshtypje e keqe, para së gjithash, është përshtypja juaj, dhe kjo është e keqe sepse duhet të jetë për kolektivin, dhe mendoj se ajo që bëmë në grumbullim ka të bëjë tërësisht me kolektivin. Pastaj duhet ta rishikoj, sepse isha shumë i lumtur për golin, pata një bisedë të shkurtër me Morgan Roxhers dhe isha i sigurt se të gjithë do të festonin së bashku, do ta shoh. Por ky nuk është imazhi që duam të përcjellim, sepse ndiejmë se të gjithë janë të përkushtuar dhe të gjithë pranojnë edhe vendime të vështira, qoftë para ndeshjes apo në ndeshje, nuk përjashton askënd.
Morgan Roxhers me siguri nuk ishte i lumtur kur nuk mundi të luante titullar sot sepse meriton të luajë për ne dhe dëshiron të luajë gjatë gjithë kohës. I dhamë pak pushim sepse erdhi me shumë minuta për klubin e tij dhe luajti kundër Serbisë. Morganit nuk i pëlqeu të ishte jashtë dhe gjithashtu nuk e meritonte të ishte jashtë”, tha Tuhel për situatën e krijuar sot.
PANORAMASPORT.AL
