Antonelli: I mahnitur nga makina e re, ky sezon na jep të gjithëve mundësinë të luftojmë për titull
3 Shkurt 2026
11:22
Telesport
Mercedes ka mbyllur me sukses testet e para private që makinat e Formula 1 zhvilluan në Barcelonë. Pilotët George Russell dhe Andrea Kimi Antonelli ishin më të shpejtët në pistë dhe “tmerruan” konkurrencën për sa i përket ritmit në distancë dhe performancës gjatë një xhiroje. Pra, një fillim shumë i shkëlqyer.
Duke folur për mediat, Kimi Antonelli tha: “Qëllimi im është të fitoj dhe një ditë të luftoj për titullin. Vitin e kaluar fitova shumë përvojë dhe ky sezon ofron shumë mundësi të reja për të gjithë. Ndihem sikur jam shumë më i përgatitur. Këtë vit do të kem një qasje të ndryshme. Ndihem sikur kam ende shumë për të mësuar”.
“Kam pasur pak kohë për të reflektuar mbi sezonin e kaluar, për të kuptuar dhe analizuar fundjavat që shkuan mirë dhe pse shkuan mirë. Fundjavat që shkuan keq dhe pse shkuan keq. Mësuam shumë në Barcelonë, si pilotët ashtu edhe ekipi, por padyshim që ka ende shumë për të zbuluar”, shtoi italiani.
“Makina W17 është ndryshe dhe e them këtë në një mënyrë pozitive: pak më e vogël, më e lehtë, gjithashtu më e shkurtër dhe më e shkathët në pistë. Mendoj se është më argëtuese për t’u drejtuar. Ke pak më shumë hapësirë për të luajtur me konfigurimin, për të kuptuar se çfarë kompromisi mund të bësh”, deklaroi Antonelli
“Menjëherë mbeta i impresionuar, mezi pres ta ngas përsëri në Bahrein. George është padyshim shumë, shumë i fortë dhe padyshim gati të luftojë për një titull, si dhe është një nga pilotët më me përvojë në pistë. Mendoj se do të jetë shumë argëtuese, veçanërisht të garoj me të, kështu që mezi pres“, përfundoi Antonelli.